12 Dhjetor, 2020 - 12:11 pm
Nga Hana Bacaj
Qasja në planifikimin e sigurtë dhe vullnetar të familjes është një e drejtë e njeriut. Sidoqoftë, besoj se pothuajse secilës grua i është dashur të arsyetojë te rrethi shoqëror se kur po mendon të bëhet prind, apo dhe se sa fëmijë dëshiron të ketë. A thua sa herë jeni përballur edhe ju me shprehje si:
“Ah, ju të rejat s’po mujshit edhe fëmijë edhe karrierë, e gjyshet tona kanë mujtë krejt me i mrri.”
“Gjyshja jem i ka pasë tetë fëmijë edhe ka jetu 80 e sa vjeç. Edhe ty sen nuk të gjenë nëse i bon ma shumë se tre fëmijë.”
“Mos e shtyjë ma se i ke ba do vjet e të ikë treni mandej.”
“Qe një vjet je martu e s’ki fëmijë, a? A s’po mundesh me ba a çka është arsyeja?”
“Hajt boni dy a tre fëmijë e hjeke dertin.”
…
Aftësia e një gruaje për të planifikuar shtatzënitë e saj ka një ndikim të drejtpërdrejt në shëndetin dhe mirëqenien e saj, si dhe në mbarëvajtjen e çdo shtatzënie.
Planifikimi familjar është thelbësor për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave lidhur me shkollim, arsimimin dhe mundësitë ekonomike, si dhe njëherit është një ndër faktorët kryesorë në uljen e varfërisë. Megjithatë, në vendet në zhvillim, shumica e grave të cilat dëshirojnë të shmangin shtatzëninë nuk përdorin metoda të sigurta dhe efektive të planifikimit familjar për arsye që variojnë nga mungesa e qasjes në informacion ose shërbime e deri te mungesa e mbështetjes nga partnerët ose rrethi shoqëror.
Shumë studime tregojnë se nëse gratë nuk janë të përfshira në vendimmarrjen e përgjithshme brenda familjeve të tyre, ato gjithashtu kanë më pak ndikim në vendimet se kur ose sa fëmijë do të kenë, krahasuar me burrat ose partnerët e tyre. Një nga mënyrat më efektive për të përmirësuar planifikimin familjar është rritja e mundësisë për qasje të grave në shfrytëzimin e kontraceptivëve, si metoda më e sigurtë mbrojtëse. Në këtë mënyrë, përdorimi i tyre do të shmangte shtatzënitë e paplanifikuara. Gratë që përdorin metoda kontraceptive moderne kanë më shumë gjasë të vonojnë shtatzënitë e tyre të para në krahasim me gratë e tjera, ndërsa dhe kjo vonesë ndihmon gratë e reja të zhvillojnë aftësitë e tyre intelekuale dhe të ngritin perspektivat e tyre të punës.
Megjithëse përdorimi i kontraceptivëve është rritur në të gjithë botën, në vendin tonë përdorimi i metodave moderne kontraceptive është ende relativisht i ulët, pavarësisht nga dëshira e grave për të vonuar shtatzëninë. Tek ne, një pjesë e konsiderueshme e adoleshenteve dhe grave të reja nuk i njohin metodat moderne kontraceptive, ndërkohë që për një pjesë të tyre, përdorimi i tyre është tabu. Në zonat rurale përdorimi i kontraceptivëve konsiderohet luks dhe turp. Përveç kësaj, në shumë raste, gratë nuk përfshihen në vendimin se a duhet të përdorin kontraceptivë gjatë marrëdhënieve seksuale, pasi ai është vendim i njëanshëm nga partneri i tyre.
Duke pasur parasysh se statusi i grave shpesh lidhet me numrin e fëmijëve që lindin ato (dhe, në disa raste, gjininë e fëmijëve), shumë feministë e konsiderojnë presionin shoqëror të vendosur nga lindja e fëmijëve si bazën themelore për pabarazinë gjinore dhe patriarkatin. Për shembull, në shoqëritë patriarkale (ku hyn edhe Kosova), burrat janë ata që kontrollojnë funksionet riprodhuese të grave dhe vendosin se sa fëmijë do të kenë. Përveç kësaj, shumica e grave gjykohen mbi kohën se kur do të bëjnë fëmijë dhe zgjedhjet e tyre profesionale, pasi ato duhet të zgjedhin një profesion që u ofron më shumë siguri në punësim, por që gjithashtu u siguron kohë të lirë për të krijuar familje dhe për të rritur fëmijë.
Pavarësisht bazës së limituar të të dhënave që ka Kosova, isha shumë kureshtare të shihja trendin dhe ndryshimet në këtë aspekt në shoqërinë tonë. Kjo më shtyu për të parë dhe analizuar lidhshmërinë në mes të nivelit të fuqizimit të grave në Kosovë dhe qasjes së tyre në shëndetin riprodhues (kontraceptivët), si dhe në numrin e fëmijëve të lindur (planifikimi familjar).
Bazuar në të dhënat e “Multiple Indicator Cluster Survey” (MICS) për periudhën 2019-2020, lidhur me ‘Planifikikimin dhe fuqizimin e familjes’ (në shkallë vendi), më shumë se gjysma e të anketuarve (67%) në kohën e studimit kanë përdorur një herë ose ende përdorin një metodë për të shmangur shtatzëninë. Midis të anketuarve që ishin duke përdorur ndonjë metodë kontraceptive, 58% përdornin metoda jomoderne dhe jo të besueshme, ndërsa “tërheqja” ishte metoda më e përzgjedhur (57%). Ndërsa, metodat e tjera më pak të aplikuara nga çiftet bashkëshortore ishin prezervativi mashkullor (3%), përdorimi i DIU (3%) dhe përdorimi i pilulave (2%).
Metodat e tjera mbrojtese, përjashtim këtyre të përmendurave, merrnin pjesë me vetëm më pak se 1%. Përdorimi i kontraceptivëve nga adoleshentet/gratë e reja (15-24 vjeç) ishte më i ulët sesa nga gratë e moshuara. Po ashtu, rezulatet e hulumtimit treguan se gratë që jetojnë në zona rurale kanë më pak gjasa të përdorin kontraceptivë. Më pak se një e shtata (13%) e grave të moshës 15-49 vjeç aktualisht të martuara ose në bashkëjetesë e përmbushin nevojën për planifikim familjar duke përdorur metoda moderne kontraceptive.
Të dhënat nga hulumtimi tregojnë edhe rëndësinë e fuqizimit të hershëm, siç është arsimi mbi fertilitetin dhe përdorimin e kontraceptivëve. Në mënyrë të veçantë, gratë që janë më të arsimuara dhe të punësuara, si dhe ato që kanë situatë financiare më të qëndrueshme, kanë më pak fëmijë dhe janë të vetëtdijshme për metoda kontraceptive dhe planifikim familjar në Kosovë.
Këto të dhëna na bëjnë të kuptojmë se vetëm një përqindje e ulët e grave kujdesen për të shmangur një shtatzëni të padëshiruar, ndërkohë që pjesa tjetër, në moshë riprodhuese, besojnë tek metoda tradicionale. Në të njejtën kohë, nga ky hulumtim u dëshmua se aftësia për të planifikuar kur dhe nëse një grua do të ketë fëmijë është i lidhur me pjesëmarrjen e tyre në fuqinë punëtore.
Disponueshmëria e kontraceptivëve efektivë ndihmon në fuqizimin e grave, duke mundësuar shmangien e lindjes së disa fëmijëve brenda një periudhe të shkurtër apo shtatzëninë e padëshiruar në moshë shumë të re. Pra, shtatzënia e planifikuar i ndihmon grave për të përfunduar arsimimin, për të kërkuar punë, të punojnë më shumë orë, si dhe të përfundojnë trajnime gjatë punës.
Për të rritur ndërgjegjësimin e rëndësisë së planifikimit familjar dhe rolin kyç të gruas në këtë çështje, kërkohet zhvillimi i politikave të ndryshme për të përmirësuar arsimin e grave dhe përfshirjen e tyre më të madhe në shoqëri. Kosova duhet të fuqizojë gratë e reja me njohuri mbi tema frytdhënëse për to, si sjellja seksuale, infeksionet seksualisht të transmetueshme (IST), kontraceptivët dhe aborti. Theks të veçantë do të duhej t’i kushtohej informimit të grave të reja dhe adoleshenteve, të cilat statistikisht po konsiderohen të jenë më pak të informuara rreth metodave kontraceptive dhe duke qenë kjo arsyeja, duhet të rishikohen kurrikulat mësimore, të cilat do të duhej të jenë të fokusuara kryesisht te shëndeti seksual dhe riprodhues, njohuritë e së cilës do ishin pjesë e lëndës së biologjisë dhe shëndetit riprodhues.
Të paturit njohuri rreth kësaj i jep grave një mundësi më të mirë për t’u bërë nëna atëherë kur ato vendosin për këtë së bashku me partnerët e tyre. Këto politika do të duhej të përfshinin të gjitha gratë, pavarësisht moshës, statusit të aftësisë së kufizuar, fesë, përkatësisë etnike, statusit socio-ekonomik dhe zonës gjeografike.
Deri në krijimin e këtyre mundësive nga ana institucionale, ajo çka do të duhej të konsiderohej një obligim moral për zhvillimin e shoqërisë, e posaçërisht në ngritjen e vetëdijes së gruas dhe të drejtës së saj për të vendosur, është angazhimi i secilës prej nesh, e secilës nënë, motër apo shoqe, që të udhëzojë dhe ndihmojë secilën grua për ta qartësuar se “për ne dhe prindërimin tonë, duhet të vendosim edhe ne, kur dhe ashtu siç duam edhe ne”./grazeta/ KultPlus.com