22 Mars, 2023 - 4:30 pm
Qeveria holandeze do të ndalojë përdorimin e aplikacionit kinez për shpërndarjen e videove TikTok në telefonat e punës, njoftuan mediat lokale.
Në Holandë, 140 mijë nëpunës civilë do të lejohen të përdorin vetëm “aplikacione të miratuara”, që do të thotë se “aplikacionet e ndjeshme ndaj spiunazhit” nuk do të lejohen më, raportoi NL Times.
“Pyetjet e fundit parlamentare dhe zhvillimet ndërkombëtare na kanë bërë të bëjmë një vlerësim të kujdesshëm që shkon më tej sesa këshillimi kundër një aplikacioni”, tha Sekretarja e Shtetit Alexandra van Huffelen në një letër drejtuar parlamentit.
Sipas raportit, shërbimet qeveritare gjithashtu do të fillojnë menjëherë të dekurajojnë zyrtarët që të instalojnë aplikacionin në telefonat e tyre dhe së shpejti të gjithë telefonat e punës do të lejojnë vetëm instalimin e aplikacioneve të miratuara paraprakisht.
Shërbimi i Përgjithshëm i Inteligjencës dhe Sigurisë së Holandës (AIVD) së fundmi paralajmëroi për një “rrezik më të lartë spiunazhi” nga vendet me programe kibernetike që synojnë Holandën dhe interesat e saj.
Ky hap ndjek rregulla të ngjashme si në SHBA, Britani të Madhe, Kanada dhe Belgjikë, si dhe institucionet e BE-së, ku autoritetet u kanë kërkuar zyrtarëve të tyre të çinstalojnë aplikacionin mes shqetësimeve të sigurisë se Kina mund të ketë qasje në të dhënat e tyre. / atsh /KultPlus.com