16 Shtator, 2020 - 3:05 pm
“Dhuna nuk ka arsyetim”, “Edhe sa herë duhet me na vra?”, “Mos i jep zemër dhunuesit”, dëgjoheshin zëra grash duke protestuar para Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) shprehën pakënaqësinë e tyre për dënimet e ulëta për vrasësit e grave, shkruan KultPlus.
Ky aksion i RrGK u lejua nga Policia e Kosovës të zhvillohej nga 5 persona dhe të jetë “simbolik”. Organizatoret mbanin pankartat “17 gra të vrame, edhe sa të tjera për me ju çel sytë?”, “Asnjo Mo”, “Nuk ka arsyetim”. Ato kërkuan drejtësi për çdo grua që ka qenë viktimë e dhunës, madje për rastet që kanë përfunduar me vdekje ato mbajtën 5 minuta heshtje.
Përgjatë vitit 2020 kanë vdekur 6 gra dhe ky numër vlerësohet si alarmant për RrGK. Ashtu siç u shpreh koordinatorja kundër Dhunës në Baza Gjinore në kuadër të këtij rrjeti, Erëza Kurti, arsyeja e protestimit përpara Prokurorisë, anipse vendimin e cakton Gjykata, qëndron në faktin se ato kërkojnë që veprat të kualifikohen siç e meritojnë dhe ashtu siç i kanë kryer.
“Kemi pasur raste që ka ndodhur tentim në vrasje dhe janë kualifikuar si dhunë në familje. Jo, ajo nuk është dhunë në familje sepse tentim vrasja është një shkallë para vrasjes dhe ne jemi të shqetësuar deri në këtë pikë që mos të ndodh edhe vrasja”, theksoj koordinatorja Kurti.
Poashtu sipas RrGK rasti i vrasjes së dyfishtë të Petër Ndrecajt do të duhej të ndëshkohej me burgim të përjetshëm dhe jo 24 vite e gjysmë.
“Ku është drejtësia u themi institucioneve relevante, a është drejtësia vetëm për burrat, a është ky shtet vetëm i burrave? Edhe sa gra duhet me u vra që policia, gjykata, prokuroria, të gjitha këto institucione me i hap sytë”, u prononcua për media Erëza Kurti.
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) pati reaguar ditë më parë për dënimin e shqiptuar ndaj Pjetër Ndrecajt për vrasjen e gruas dhe vajzës së tij./KultPlus.com