24 Korrik, 2019 - 7:07 pm
Burim Myftiu
Një pasdite të ngrohtë vere në Shkodër, gati se rastësisht u ndala të fotografoj ca pamje rruge në lagjen e Romëve matanë liqenit. Pasi kuadrova ca njerëz dhe një kolltuk të vjetër në mes te rruges, nga rrugica afër u degjuan zëra të fëmijëve.
Vendosa t’i përcjellë zërat dhe arrita në mes të një lagjeje të pasistemuar ose më mirë të them të improvizuar buzë liqenit. Rreth e rrotull një rëmujë, përplot shtëpiza të vogla të vetëndërtuara, më shumë si kasolle, me gjysmë çati ose të mbuluara me llamarina. Një skamje e paparë…Çdokush ishte në rrugë ose para shtëpisë. Ca punonin, ca flenin derisa një duet ushtronte klarinet në fund të lagjes.
Fëmijët ishin përqëndruar në lojën e tyre. Në mes të asaj skamje dhe kaosi megjithate dominonte gëzimi, lumturia e çastit dhe e një rritëm spontan e optimist. Edhe vetë Gabriel Garsia Markez do mbetej pa fjalë këtu. Nuk kaloi shumë kohë, në atë parajsë të inspirimit, i zbulova kupidët e lagjes, engjëjt e vegjël. / KultPlus.com