27 Nëntor, 2019 - 10:48 pm
Edi Rama
Të gjithë atyre që shfryjnë mllef e helm për “taksën” e Rrugës së Kombit, fjalët më poshtë po u përcjell:
• E para, është një gënjeshtër me bisht që u kërkohet “taksë” kalimi automjeteve që sjellin ndihma në Shqipëri! Zero! Kompania që investon në Rrugën e Kombit dhe garanton mirëmbajtjen e saj, e ka marrë përsipër mbulimin e shpenzimeve të kësaj “takse” për çdo automjet ndihmash. Ky është fakti dhe gënjeshtra që ka marrë dhenë në rrjetet sociale është vetëm një gënjeshtër. Të cilën e përsërisin dhe e përhapin jo ata që sjellin ndihma, po ata që e kanë me të dëgjuar! Popujt thonë kur gënjeshtra ka bërë xhiron e botës, e vërteta ende s’ka veshur dot pantallonat☹️
• Tarifa e shërbimit (jo taksa, po tarifa e shërbimit për Rrugën e Kombit), nuk është një tra i vendosur për të penguar shqiptarët të vijnë nga Kosova a të shkojnë në Kosovë, siç predikojnë ata që s’e kanë mësuar akoma atë shprehjen kuptimplotë, që në paqe forma më e lartë e patriotizmit është të paguash taksat! Jo, ajo tarifë është një kontribut i çdo përdoruesi të rrugës, për ta pasur rrugën që përdor sa më optimale dhe sot, nuk del dot dikush që i ka sytë në vend që të thotë se Rruga e Kombit, nuk është shumë më e sigurtë e më e mirëmbajtur, se sa përpara vendosjes së tarifës.
• Dhe e fundit, unë nuk isha hero kur e mbrojta pavarësinë e Kosovës në mes të Beogradit dhe ju më bëtë hero! As nuk jam tradhëtar sot, kur mbroj dhe do ta mbroj deri në fund, idenë e Shengenit Rajonal!
Jo, unë jam po ai, që as nuk fluturoj kur më bëjnë hero, as nuk ndalem kur më bëjnë tradhëtar, e i dal për zot fiks po njësoj, bindjeve e ideve të mia. Sepse nuk e kam marrë këtë detyrë për t’iu pëlqyer të gjithëve çdo ditë, po për t’u kujtuar me respekt nesër edhe nga ata që s’do më duan kurrë, kur ditët e mia në detyrë të kenë mbaruar; si një shqiptar kokëfortë që i shërbej me zemër vendit tim, që e mbroj të vërtetën time megjithë zemër dhe që di ta bëj këtë detyrë më mirë se të tjerët – deri kur të dalë natyrisht ndonjë tjetër, që s’e njohim akoma.
Kaq për këtë temë, se më duhet të zbres tani nga makina, për t’u kujdesur për sistemimin në hotel të disa familjeve të tjera fatkeqe.
Përqafime të gjithëve, edhe atyre që do vazhdojnë të më shajnë, sepse e di që kujtojnë vërtetë se kanë të drejtë, siç e di që do më japin të drejtë një ditë, kur koha të tregojë ashiqare se janë krejt gabim😊/KultPlus.com