22 Gusht, 2020 - 2:25 pm
Ishte vetëm 13 vjeçare kur iu dashtë të shtrohej në spitalin ‘Instituti për Nëna dhe Fëmijë’, në Beograd. Edhe pse e vogël, një takim me bashkëmoshataren e saj, bëri që Edina edhe tash pas 24 viteve, ta kujtojë Venerën me një dashuri e respekt të pashoq, shkruan KultPlus.
Edina Resulbegu është një shqiptare nga Ulqini, e cila para 24 viteve është shtruar në spitalin e Beogradit, ku për një muaj rresht ka qëndruar me Venerën, që ishte edhe bashkëmoshatare e saj. Këto të dyja atje kanë qëndruar me nënat e tyra. Ndërkaq, tash, kur teknologjia ka bërë që kontakti me të afërmit tanë të jetë më i lehtë, Edina nuk e ka idenë se çfarë mbiemri kishte Venera apo se nga vinte, duke e privuar Edinën nga gjetja e shoqes së saj të fëmijërisë.
Ishin të vogla dhe në atë spital ishin për një hall, e kujt do t’i binte ndërmend të pyeste për mbiemër, apo për vendbanimit.
Edina tregon për KultPlus se krejt çka din është vetëm se Venera vinte nga Kosova.
Ajo çfarë e bënë më të ndjeshme këtë temë për Edinën, është fakti se Venera edhe pse bashkëmoshatare me Edinën, ishte kujdesur jashtëzakonisht shumë për të gjatë asaj periudhe.
‘Në atë spital ka pasur shumë fëmijë nga Kosova. Ndërkaq, as unë dhe as Venera nuk kemi pasë motër, por ajo ka qenë si motër për mua. Më freskonte me peshkir me orë të tëra sepse më digjte plaga nga operimi’, tregon tutje Edina për KultPlus.
Nga nostalgjia e madhe për të, Edina e kujton Venerën si një vajzë të bukur shumë, me flokë të gjatë e ngjyrë kafe.
‘Ajo ka qenë drita ime në ato ditë. Ka qenë engjulli im mbrojtës, prandaj nuk më hiqet kurrë nga mendja. Nuk e kam harruar kurrë’, shprehet Edina.
Për Edinën ka shumë rëndësi gjetja e kontaktit të Venerës, prandaj ajo apelon për të gjithë që mund ta njohin atë, miqtë e saj, familjarët apo kushdo tjetër, t’i tregojë asaj se Edina ka shumë dëshirë ta kontaktojë, ta takojë, pasiqë ka një dashuri e mirënjohje të madhe për të. / KultPlus.com