24 Nëntor, 2023 - 2:21 pm
Grimcat në ajër shkaktuan rreth 250 000 vdekje në të gjithë Bashkimin Evropian gjatë vitit 2021, raportoi sot Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA).
“Këto vdekje mund të ishin shmangur nëse përqendrimet e grimcave të imta do të kishin zbatuar rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH)”, tha EEA në Forumin e katërt të Ajrit të Pastër në Roterdam.
“Ndërsa kemi bërë hapa të mëdhenj gjatë viteve të fundit për të ulur nivelet e ndotjes së ajrit, të dhënat dhe vlerësimet e fundit tregojnë se ndikimet e ndotjes së ajrit në shëndetin tonë mbeten ende shumë të larta, duke rezultuar në vdekje dhe sëmundje që mund t’i atribuohen ndotjes së ajrit”, tha drejtoresha ekzekutive e EEA-s, Leena Ylä-Mononen.
Sipas vlerësimeve të EEA-s, grimcat janë shkaktare të rasteve të sëmundjeve të zemrës, goditjeve në tru, diabetit, sëmundjeve pulmonare, kancerit të mushkërive dhe astmës.
Përveç grimcave të imta, ndotja është shkaktuar edhe nga dioksidi i azotit (NO2), pjesa më e madhe e të cilave gjenerohet nga transporti dhe ozoni në nivelin e tokës.
Sipas raportit te EEA-s, 52 000 e vdekjeve i atribuohen NO2 dhe 22 000 ozonit. /atsh / KultPlus.com