Ekonomia e Përmetit e lidhur me turizmin, pothuajse çdo fshat shëndrrohet në shtëpi pritëse për vizitorët

1 Shkurt, 2025 - 9:31 am

“Qyteti i trëndafilave” gjithmonë e më tepër po merr profilin e një destinacioni turistik tërheqës për vizitorët vendas dhe të huaj

Kryetarja e bashkisë së Përmetit, Alma Hoxha tha për ATSH-në se “investimet e kryera vitet e fundit në qytetin tonë kanë sjellë një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve si nga qytete të ndryshme të vendit, por edhe nga Evropa dhe vendet e tjera të botës. Vitin 2024 e mbyllëm me një shifër të lartë të turistëve që vizituan Përmetin dhe rrethinat e tij, duke shënuar 155 mijë”.

Sipas saj, 70% e turistëve janë të huaj dhe 30% turistë vendas.

Në Përmet vitet e fundit është rritur numri i hoteleve dhe bujtinave, për të pritur turistët.

“Në qytet, por edhe në fshatra po i rikthejnë shtëpitë e tyre në bujtina, pasi ekonomia e Përmetit është gjithmonë e lidhur me turizmin. Pothuajse në çdo fshat ka nga një shtëpi pritëse”, tha Hoxha.

Kryebashkiakja Hoxha bëri të ditur se këtë vit synohet një numër më i lartë vizitorësh dhe më shumë të ardhura nga turizmi.

“Falë investimeve që janë bërë dhe atyre që janë duke përfunduar presim që numri i turistëve të shënojë më shumë rritje  këtë verë, në territorin e Përmetit, si në Shtëpinë Muze të vëllezërve Frashëri, Muzeu i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, apo edhe në atraksionet turistike që ndodhen në Përmet, do të ketë shtim të numrit të turistëve”, tha Hoxha.

Atraksionet më të vizituara të sezonit turistik që lamë pas ishin: Lugina e Lumit Vjosa, Ujërat Termale Banjat e Bënjës. Cirkuiti i Malit të Nemërçkës, Ujëvara e Sopotit, Lagjja Historike e Qytetit, Kisha e Shën Marisë në fshatin Leusë, fshati Frashër etj.

Për promovimin e qytetit, bashkia e Përmetit vijon organizimin e një sërë aktivitetesh.

Kryebashkiakja Hoxha tha se “Dita e Verës, Vjosa në Fest, Festa e Gjysheve janë disa prej aktiviteteve të zhvilluara në Përmet, të cilat kanë tërhequr një numër të lartë vizitorësh”.

Zona e Përmetit përfshin resurse të veçanta natyrore, historike dhe të trashëgimisë kulturore në shërbim të zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm.

Në Përmet ashtu siç vendasit thonë “Përveç detit mund të gjesh çdo gjë tjetër”, nga ujërat termale të Bënjës, lugina e Vjosës dhe objektet e kultit që në këtë qytet janë të shumta e të veçantë.

Një vend të veçantë zënë kishat si ajo Shën Kollit, Kisha e Shën Premtes, Kisha e Shën Mërisë në Bënjë, Kisha e Shën Mërisë në fshatin Kosinë, Kisha e Shën Mërisë në fshatin Leusë. Në Përmet ndodhet edhe Teqeja e Alipostivanit, e ngritur mbi një kodër të bukur mbi fshatin Alipostivan.

Një tjetër monument kulti dhe historik shumë i famshëm në Shqipëri është edhe Teqeja e Frashërit, e ndërtuar më 1781 nga Sulejman Beu i Frashërit.

Në pjesën lindore të tij ndodhen Ujërat Termale të Bënjës, të njohura për vlerat kurative si dhe për kanionet shkëmbore të Langaricës me Shpellën e Pëllumbave./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme