6 Qershor, 2024 - 12:14 pm
Shkodra hapi dyert në Kinema Republika për edicionin e 7-të të festivalit “Ekrani i Artit”.
Festivali sjell në këtë edicion 45 filma, 3 ekspozita, 4 instalacione-video, performanca, biseda me artistë të ftuar dhe orë të panumërta me muzikë e vallëzim.
Nën titullin “Solitude and Multitude”, filmat e këtij viti eksplorojnë skajet e ekzistencës njerëzore ku vetmia dhe shumësia, individi dhe komuniteti, thjeshtësia dhe kompleksiteti, intimiteti privat dhe dimensioni publik përvijohen mes nuancash të panumërta.
Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, shprehi kënaqësinë për rivendosjen në punë të kinemasë së qytetit si një hapësirë publike për të gjithë qytetarët, ndërkohë që puna për rikonstruksionin e plotë do të vijojë.
Deri më datën 9 qershor, Shkodra do të vazhdojë të mirëpresë vepra të video artit, filmit të shkurtër e të gjatë, dokumentar e fiksion nga artistë vendas dhe ndërkombëtarë në vende të ndryshme të qytetit si: Kinema Republika, Art House, Galeria e Arteve, Vendi i Dëshmisë e Kujtesës, Qendra Rinore Arka, Auditori Franceskan, Galeria Oda dhe Kalaja e Rozafës.
Ekrani i Artit vazhdon traditën e tij për të mos e përsëritur asnjëherë vetveten, duke sjellë filma dhe autorë të rinj dhe duke rinovuar vetë strukturën e festivalit./atsh/KultPlus.com