23 Tetor, 2021 - 2:54 pm
Nga Hasan Bello
Shekulli i XVIII-XIX-të për shkak të revolucioneve dhe dekompozimit të strukturave të vjetra shoqërore, për shumë vende europiane dhe vetë Perandorinë Osmane do të shoqërohet me krijimin e organizatave të fshehta. Qëllimi i tyre ishte lufta kundër absolutizmit dhe klerikalizmit, të cilët konsideroheshin si pengesë kryesore për shekullarizimin, ndryshimin e regjimeve politike dhe krijimin e shteteve kombëtare. Një nga këto organizata sekrete do të jetë edhe lëvizja masonike, e cila do të krijoi celulat e saj, sipas një rregulloreje strikt për çdo anëtar.
Në vende të ndryshme të botës, pjesë e lozhave masonike kanë qenë personalitete të njohur të politikës, artit dhe shkencës. Por ekzagjerimi që i bëhet këtij fenomeni ka marë natyrë pandemike. Me këtë kemi parasysh se, jo çdo figurë e njohur ka qenë domosdoshmërisht mason.
Prandaj, nëse meremi me tema kaq sensitive që i përkasin botës së konspiracionit, duhet të bëjmë kujdes. Shqipëria nuk shquhet për intensitet organizatash masonike.
Kjo është arsyeja që arkivat e tyre si në disa shtete si Franca dhe Italia mungojnë. Dokumentacioni është i pakët, për shkak se masonët shqiptarë, në shumicën e rasteve ishin anëtarë të shoqërive të shteteve fqinjë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ata nuk kanë ekzistuar tek ne.
Në fund të shek.XIX-të masoneria dhe socializmi ishin dy armiqtë kryesorë të Vatikanit. Kjo për shkak se këto dy lëvizje ishin organizatat më antiklerikaliste të kohës. Nga mesi i tyre dolën personalitete të politikës, artit dhe shkencës, shkrimtarë dhe filozofë që si armik kryesorë të shoqërisë konsideronin klerin dhe besimet fetare. Në vende të ndryshme, siç ishte Italia, lëvizja masonike u mpleks me përpjekjet për krijimin e shteteve kombëtare.
Përplasja me klerin që përfaqësonte interesa të ndryshme, i kishte armiqësuar akoma dhe më tepër palët. Për këtë arsye, Selia e Shenjtë do të krijoi “Këshillin e Përgjithshëm të Bashkimit Antimason”, i cili sipas një letre që i dërgonte argjipeshkvit të Shkodrës, Paskuale Guerini-t më 6 shtator 1897 kërkonte që të merreshin masa, për të mos lejuar përhapjen e masonerisë.
Në fakt nga dokumentacioni i shqyrtuar, nuk rezulton që brenda territorit shqiptar të kishte lozha masonike. Por, nga ana tjetër, kontaktet e para të shqiptarëve me lëvizjen masonike kishin filluar tek arbëreshët e Italisë dhe një pjesë e studentëve, oficerëve dhe drejtuesve shqiptarë në shërbim të Perandorisë Osmane.
Kështu, një nga themeluesit e lëvizjes xhonturke, shqiptari nga Struga Dr.Ibrahim Temo, në librin me kujtime tregon hapur, se si model i organizatës së tyre politike, që vonë do të marë emrin “Bashkim dhe Përparim” do të shërbejnë lozhat italiane. Madje, për të fituar eksperiencë, ai me disa xhonturq të tjerë do të nisen drejt Italisë. Pothuajse i gjith organizimi, komunikimi dhe celulat e saj kësaj organizate do të ndërtohen sipas këtyre lozhave.
Me kalimin e viteve pjesë e lëvizjes xhonturke dhe e lozhave masonike do të bëhen edhe disa shqiptarë të tjerë. Protagonizmi i tyre në qendrën e Komitetit Xhonturk, në qytetin e Selanikut, i cili konsiderohej si epiqendër e masonëve të Perandorisë Osmane, është një tregues tjetër.
Kjo nuk do të thotë se roli i tyre në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare duhet nënvlerësuar. Përkundrazi, në periudha të caktuara të historisë, ata kanë luajtur një rol pozitiv. Anëtarësimi i tyre në këto lozha shihej si trend dhe si mënyrë për t`i shërbyer çështjes kombëtare.
Një rast i tillë është ai vëllezërve Mirash e Martin Ivanaj apo i kushëririt të tyre Nikoll Ivanaj. Këto personalitete kanë luajtur një rol shumë pozitiv para dhe pas krijimit të shtetit shqiptar. Për të gjith është i njohur fakti, se reformat e Mirash Ivanaj-it si ministër Arsimi në periudhën e Mbretit Zog, përbëjnë një akt patriotik.
Por kontributi i tyre shtrihet edhe në pozicione të ndryshme të administratës. Pavarësisht faktit, se tek këto personalitete, përsa i përket laicitetit kishte doza ekstremiteti.
Në vitet 20-30-të çdo person që punonte në administratën shtetërore dhe që ishte simpatizant i reformave sekulariste, kleri e konsideronte mason. Në fakt, kjo nuk është e vërtetë. Për të qenë pjesë e këtyre lozhave, ka disa kritere. Këto akuza më tepër bëheshin për të ngjallur frikën e besimtarëve.
Në këtë periudhë pati përpjekje për t`i përdorur lozhat masonike jashtë Shqipërisë në funksion të intereave politike: e para, nga kundërshtarët politik të A.Zogut pas largimit të disa prej tyre drejt Turqisë, e dyta, po nga Mbreti Zog për interesat e kombit shqiptar.
Kështu, duke ditur influencën që ato kishin në Turqi, ai do të dërgoi personalitetin e njohur kosovar Ferhat bej Dragën, që të lobonte pranë tyre për të penguar marrëveshjen jugosllavo-turke për dëbimin e popullsisë shqiptare.
***
Arbëreshi Terenc Toçi (1880-1945): patriot, mason dhe shtetar i njohur shqiptar
Një nga masonët më të njohur shqiptar që ka dhënë një kontribut të madh para e pas krijimit të shtetit shqiptar është padyshim arbëreshi Terenc Toçi. Ai ka lindur në mars të vitit 1880 në Sh.Kozmo Albaneze, në provincën e Kozencës.
Përveç figurave të njohura arbëreshe për formimin e tij do të ndikoi jashtzakonisht njohja me personalitetin republikan, masonin Felice Albani, i cili në vitin 1900 pati themeluar partinë maciniane republikane. Kjo bëri që ai, ndryshe nga avokati i njohur arbëresh Anselmo Lorecchio dhe revista e tij e famshme “La Nazione Albanese” që mbështeste pikëpamjen e një procesi çlirimi kombëtar gradual dhe të moderuar për shqiptarët, për T.Toçin duhej hequr dorë ndaj taktikave të përdorura deri atëherë.
Sipas tij, “Liria nuk lypet! Kur një popull don të jetë i lirë, nuk bën politikë, por luftë, nuk e lë veten në dorë të diplomatëve, por të guximit të vet: dhe nëse bie, ai rilind”. Këto ide revolucionare, bënë që ai të bashkohej shumë shpejt me Riçoti Garibaldin, i cili kishte luftuar disa herë përkrah popujve ballkanikë kundër Perandorisë Osmane.
Njohja e tij me Felice Albanin bëri që brenda një kohe të shkurtër T.Toçi të integrohej mirë në rrethet masonike, duke patur kontakt direkt me Mjeshtrin e Madh të Italisë, skulptorin, piktorin dhe deputetin radikal, Ettore Ferrari.
Ky ishte një personalitet i spikatur i së majtës irredentiste dhe nacionaliste italiane e shumë aktiv në çështjen e çlirimit të popujve ballkanikë. Kjo ndoshta do të ketë qenë edhe arsyeja e miqësisë së T.Toçit me të, si dhe aktviteti i mëvonshën i tij në Shqipëri.
Sidoqoftë, njohja dhe anëtarësimi i T.Toçit në lozhat masonike bëri që rrethi i tij miqësorë me politikanë e intelektualë të njohur italianë të zgjerohej gjithnjë e më shumë. Gjatë kësaj periudhe, ai do të njihet dhe me Nikollë Ivanaj-in, një shqiptar patriot nga Mali i Zi, mason dhe mik i Felice Albani-t.
Ivanaj nxirrte prej disa kohësh, fillimisht në Raguzë dhe më pas në Trieste, revistën “Shpresa e Shqypnisë”. Në vitin 1907, ai shprehte kënaqësinë e tij të madhe që kishte zbuluar te T.Toçi “një vëlla luftarak dhe me vlera të mëdha shkencore”.
Një vit më pas, gjatë një vizite në Romë, Ivanaj ra dakord me F.Albanin që selinë e revistës ta zhvendoste në atje, duke ia besuar drejtimin e saj T.Toçit.
Në vitet 1908-1909, T.Toçi do të udhëtoi drejt Argjentinës, Uruguait, Brazilit, SHBA-së etj. Gjatë këtij udhëtimi sipas biografëve të tij, Toçi ktheu edhe në Kubë, duke hyrë në kontakt për llogari të Felice Albanit me komitetet revolucionare.
Me mbështetjen e Mjeshtrit të Madh të Italisë, ai u përpoq të prezantonte organizatën masonike “Orienti i Madh” në Kili. Përveç njohjes e më pas martesës me një vajzë me origjinë arbëreshe, Klementina Raomano-n, pjestare e një familje emigrantësh në SHBA, misioni i Toçit për mbledhjen e ndihmave për çështjen shqiptare përfundoi pa sukses.
Pas kthimit në Itali, me ndihmën e Felice Albanit dhe rekomandimin e Mjeshtrit të Madh Ferrari për mjediset masonike, ata u vendosën në Milano.
Me profesion avokat, T.Toçi fillimisht punoi në një studio ligjore e më pas si i pavarur.
Kryengritjet që shpërthyen në Shqipëri ngjallën entuziazmin e arbëreshëve të Italisë. Në fillim të vitit 1911, ata themeluan komitetin “Pro Albania”, ku Nikoll Ivanaj dhe T.Toçi, luanin një rol të rëndësishëm. Me insistimin e tyre, në këtë komitet, mernin pjesë Felice Albani, Ferrari, deputetë e personalitete të njohur italianë, që ishin njëkohësisht drejtues ose anëtarë të lozhave masonike.
Formimi i tij patriotik i mpleksur me një dell revolucionari e shtynë T.Toçin të hartonte një plan për të shkuar në Shqipëri për të ndihmuar organizimin e një kryengritje antiosmane. Ai punoi gjithashtu për zbarkimin e një ekspedite ushtarake me vullnetarë italo-shqiptarë.
Nga ana tjetër, ai i kërkoi Mjeshtrit të Madh Ferrari që të themelonte një lozhë masonike në Shkodër. Por ky propozim u refuzua, qoftë për arsye financiare, qoftë për shkak se Mjeshtri i Madh Ferrari parashikonte që masoneria e xhonturqve, me të cilën “Orienti i Madh” kishte marrëdhënie të mira, do t`i kundërvihej kësaj nisme që synonte çlirimin e popullit shqiptar. Kjo u duk qartë kur T.Toçi zbarkoi në Shqipëri për të mbështetur kryengritësit.
Pavarësisht përpjekjeve dhe thirrjeve drejtuar qarqeve politike e masonike italiane për ndihmë, ata nuk e ndihmuan. Përkundrazi, Mjeshtri i Madh Ferrari ndërhyri për të bindur qarqet masonike që mos ta mbështesnin kryengritjen shqiptare. Në letrën drejtuar atyre, ai shkruan “arsye të forta politike na sugjerojnë më tepër maturi”.
Shpirti patriotik bëri që më 27 prill të 1911 T.Toçi të shpallte një qeveri shqiptare, e cila nga bashkëpatriotët e tij u konsiderua si një aventurë e rrezikshme.
Pas Shpalljes së Pavarësisë T.Toçi do të luaj një rol të rëndësishëm si publicist dhe aktivist politik, me gazetën “Taraboshi” që dilte në Shkodër. Gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore, ai do të përpiqet të realizojë ëndrrën e tij të vjetër.
Për këtë dëshmon edhe ky dokument, i mjeshtrit G.Valente, i cili e njofton T.Toçin mbi vendimin e degës masonike të Barit për ta lejuar atë të themelonte një lozhë në qytetin e Shkodrës dhe ta zgjeronte atë me anëtarë të rinj. Por, siç duket, koha dhe rrethanat e luftës nuk e lejuan të punonte i qetë. Ai do të detyrohet nga pushtuesit austro-hungarezë të largohet nga Shkodra.
Masoneria e përgjithshme Bashkësia Italiane
Liri – Barazi – Vëllazëri
Bari, më 17 shkurt 1914
I dashur Fr.:. Terenc Toçi is .:.
Shkodër e Shqipërisë
Me vendim të kësaj Zyre .:., i votuar mbrëmë, qe vendosur, mbi relacionin e të dashurit fr.:. del-Po, të ngrihet në këtë qendër një trekëndësh në varësi të Peucetisë. Ua besojmë Ju, i dashur Fr.:., detyrën e kushtuar për të kryer atje punën e nevojshme përgatitore, duke na treguar nëse gjenden të tjerë fr.:. përveç jush; nëse keni propozuar të bëheni me elementë të rinj; dhe nëse e shihni me vend të jetësoni menjëherë një themelim të tillë; me modalitetin e posaçëm të të cilit, sugjeruar nga përvoja juaj mass’, dhe nga kushtet e mjedisit besoni se mund të vëmë në jetë vendimin tonë etj.
Me një fjalë, ju lutemi të na tregoni të gjithë atë që është për t’u bërë atje.
Me urimin që shpejt të mundni të mbani atje bulën e themelimit, pranoni përgëzimet tona më të gjalla dhe përqafimet më të përzemërta.
M.:. i përnderuar
Pas lufte, Toçi do të mbajë disa poste drejtuese si Drejtor i Zyrës së Shtypit, ministër i Ekonomisë etj. Në vitet e pushtimit italian ai do të emërohet kryetar i Këshillit të Epërm Fashist Korporativ. Për këtë arsye, në prill të 1944 Toçi do të pushkatohet me vendim të Gjyqit Special si bashkëpunëtorë i fashizmit.
Kontributi i T.Toçit pasqyrohet edhe në hartimin e botimin e ligjeve, rregulloreve dhe teksteve juridike, si një nga specialistët më të mirë të jurisprudencës shqiptare gjatë viteve 20-30-të. /abcnews/ KultPlus.com