7 Janar, 2025 - 12:31 pm
Në Galerinë FAB pranë Universitetit të Arteve u çel një ekspozitë kushtuar edicionit të 4-t të Festivalit Ndërkombëtar të Posterit “Prishtina 2024”.
Ekspozita është e kuruar nga profesori Keith Kitz, nga Massachusetts dhe trajton temën “Harmonia”, mbi të cilën kanë punuar dizajnerë nga 25 shtete të botës. Gjithashtu ky edicion pati si temë të dytë “Eksploro qytetet: Tirana, Prishtina, Shkupi”. Ky edicion sjell 100 postera dhe ka karakter garues e edukues dhe për këtë arsye vjen i ndarë në dy kategori: profesionistë dhe studentë ose entuziastë.
Festivali është i vetmi në rajon që i kushtohet posterit dhe i mirëpret këto krijime nga e gjitha bota e që më pas vlerësohen nga një juri ndërkombëtare.
Në festival u ndanë 3 çmime kryesore dhe 2 speciale.
Deri tani Festivali Ndërkombëtar i Posterit në Prishtinë ka trajtuar edhe tema si “All against Corruption”, “Freedom”, “Emigrimi”.
Të pranishëm në Galerinë FAB ishin ambasadori i Republikës së Kosovës, Skënder Durmishi; prof. dr. Erald Bakalli, rektor i Universitetit të Arteve; prof. asc. dr. Rrezeart Galica, lektor i komunikimit vizual në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës./atsh/KultPlus.com