3 Korrik, 2024 - 5:58 pm
Ambasada gjermane në Tiranë organizoi një ekspozitë digjitale të titulluar “Tiranë, Korrik 1990 – Arratisje në Ambasadën Gjermane”. Ekspozita i kushtohet 34-vjetorit të eksodit shqiptar në ambasada.
Më 2 korrik të 1990-ës, mijëra shqiptarë mësynë Ambasadën Gjermane në Tiranë për të kërkuar mbrojtje nga regjimi komunist. Rreth 5000 persona kërkuan strehim në ambasadat e huaja dhe mbi 3200 persona gjendeshin në ambientet e Ambasadës Gjermane.
Ekspozita digjitale paraqet imazhe origjinale nga kjo periudhë duke sjellë më shumë informacion rreth këtyre ngjarjeve historike.
Ambasadori Karl Bergner, prezantoi këtë ekspozitë përmes një postimi në faqen online të Ambasadës Gjermane.
“Njerëzit ishin në kërkim të lirisë, mirëqenies, në kërkim të një fillimi të ri. Një pjesë mes tyre ishin të frymëzuar edhe nga pamjet e transmetuara në televizion për refugjatët gjermano-lindorë të vitit 1989”, shkruan ambasadori Bergner. Ambasadori tha se, përmes ekspozitës nderohet kurajoja e të larguarve si dhe përkujtohen viktimat e përndjekjes politike nën sundimin komunist.
Pas dhjetë ditësh konflikti dramatik u zgjidh. Pas bisedimesh të vështira me palën shqiptare komuniteti ndërkombëtar arriti të kishte sukses dhe qeveria ra dakord me largimin nga vendi, i cili ndodhi natën e datës 12 korrik përmes Durrësit në drejtim të Italisë e më pas me tren drejt Gjermanisë./atsh/ KultPlus.com