22 Dhjetor, 2023 - 8:00 pm
Berati, i përshkuar mespërmes nga lumi Osum, është spikatur si një qytet i veçantë, me ndërtesa të bardha mesjetare, të ndriçuara nga hapësira e ajrit të pastër dhe ngritur një mbi një në shpate mali. Pas viteve ’90-të është kthyer në një prej destinacioneve turistike më tërheqëse nga shqiptarët dhe turistët e huaj.
Në këtë fundvit, dhjetëra vepra arti në pikturë, skulpturë dhe grafikë janë ekspozuar në Galerinë e Arteve “Edward Lir”, Berat, duke shënuar rrugëtimin e tretë të lëvizjes dhe ekspozimit të veprave të Galerisë Kombëtare të Arteve, Tiranë, pas suksesit të arritur në Galeritë e Arteve të Pogradecit dhe të Sarandës.
Projekti kulturor disaplanësh, me titull “Psikologjia Shqiptare në artet pamore”, me drejtues projekti Olsi Laska dhe kuratore Suzana Varvarica Kuka, vijon të përhapet në hapësira qytetesh, shkon pranë publikut të ri me qëllimin e njohjes së mjeshtrave të shek. XX dhe atyre më të rinj të shek. XXI.
Promovimi i dhjetëra artistëve të aksit jugor të qendrës së Shqipërisë, të cilët e kanë origjinën e tyre nga qytetet Berat, Fier e Lushnjë, shënon më parë ekzistencën e pasurisë sonë kombëtare në artet pamore. Veprat e tyre të përzgjedhura nga fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, ekspozohen në Berat dhe i japin jetë e atmosferë konceptit të ekspozitës “Artistë të njohur dhe Berati, qyteti i shkëlqyer modern i Antipatreas shekullore”.
Në këtë ekspozitë, nderohen veprat e artistit të shquar shkodran Simon Rrota, për të njohur e kujtuar se një pjesë të jetës së tij, gjatë Luftës së Parë Botërore e kaloi në Fier, i detyruar si përkthyes nga ushtritë e huaja dhe në mes të bombardimeve. Ndërsa veprat e artistëve të hershëm akademik Vladimir Jani dhe Dhimitër Buda ndiqen nga artistë realist e kontribues në zhvillimin e artit shqiptar të shek. XX si Nallbani, Kilica, Cini, Bushi, të cilët frymëzuan dhe nxitën në rrugën e arteve pamore qindra artistë më të rinj, si Polovina, Thaçi, Golemi, Filipi, Droboniku, Saro, Lena, Papathimiu, Boriçi, etj,
Veprat janë përzgjedhur duke veçuar cilësinë e vlerës artistike dhe përmbajtjen pozitive, historike dhe realiste të subjektit. Galeria e Arteve e Beratit u zgjodh nga stafi drejtues e kuratorial, pasi ky qytet i mrekullueshëm historik, turistik dhe i rinovuar, ka ruajtur traditat më të mira arkitektonike dhe shoqërore. Publikut të këtij aksi, përmes paketës edukative, do t’i tregohet se arti i artistëve të ekspozuar është shenjë serioze e kohës së tyre, është hallkë figurative e rëndësishme në historinë e artit shqiptar dhe, se interesat e tyre figurative, të cilat u shfaqën gjatë 40 viteve të fundit të shek. XX, kanë qenë të lidhura ngushtësisht me aftësimin profesional, me pasqyrimin e fenomeneve historikë, me ndryshimet dhe zhvillimin e shpejtë të shoqërisë, ekonomisë, natyrës, punës dhe kulturës shqiptare. Ndërsa, ato të artistëve që po jetojnë dhe krijojnë, në shek. XXI, janë të lidhura ngushtësisht me zbulimin e personalitetit të individit, si rëndësi e veçantë dhe bashkëkohëse në artet pamore.
Nisja e vizitës tuaj të artit në Galerinë e Arteve “Edward Lir”, Berat, mundëson të diskutojmë për shenjat figurative të artistëve tanë me emër, të njohim aftësitë e tyre, të zbulojmë temat dhe subjektet e sipërfaqeve dhe volumeve artistike, të cilët do të na çojnë në hapësirën natyrore dhe psikologjike të këtyre qyteteve dhe të përballjes me individët e atyre kohërave./atsh/KultPlus.com