27 Shkurt, 2025 - 9:38 pm
Tirana mirëpriti dje një nga ngjarjet më të rëndësishme në fushën e artit, me hapjen e ekspozitës “Bashkë”, e cila sjell veprat e dy mjeshtërve të pikturës shqiptare, Guri Madhi dhe Abaz Hado. Kjo ekspozitë u organizua në kuadër të shpalljes së Tiranës si “Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut për vitin 2025”, një titull që synon të promovojë diversitetin artistik dhe ndërveprimin kulturor mes vendeve mesdhetare.
“Ne kemi bashkëpunuar edhe herë të tjera me ekspozita të tjera, por këtë herë kemi vendosur të sjellim një bashkëpunim shumë më të gjerë dhe të detajuar në shumë aspekte. Në këtë ekspozitë kryesisht kemi zbuluar secili karakteret dhe konceptet e veta, si dy artistë të epokave të ndryshme”, u shpreh piktori Abaz Hado.
Ekspozita solli një numër të konsiderueshëm vizitorësh, mes tyre figura të njohura të artit, kulturës dhe politikës, të cilët gjatë fjalës së tyre theksuan rëndësinë e ekspozitës si një mundësi për të rikthyer në vëmendje dy emra të shquar të pikturës shqiptare, të cilët me veprat e tyre kanë lënë një gjurmë të pashlyeshme në artin kombëtar.
“Kjo ekspozitë është një ekspozitë e jashtëzakonshme për një takim në kohë. Çdo imazh mban premisat për të kujtuar dhe risjellë në vëmendje ngjarje të rëndësishme dhe profesor Guri më këto piktura na e jep këtë dimension kënaqësie”, u shpreh Dekani i Arteve të Bukura, Artan Peqini.
Guri Madhi, i njohur për ndjeshmërinë e tij të lartë artistike dhe përdorimin e ngjyrave të forta, vjen në këtë ekspozitë me disa nga punët e tij më përfaqësuese, të cilat pasqyrojnë jo vetëm mjeshtërinë teknike, por edhe ndjeshmërinë e tij sociale dhe historike.
Nga ana tjetër, Abaz Hado, i cili njihet për stilin e tij modern dhe eksperimentues, sjell një qasje të veçantë në pikturë, duke e bërë këtë ekspozitë një ndërthurje të bukur mes dy qasjeve të ndryshme artistike, por që bashkohen përmes fuqisë së artit./tema/KultPlus.com