21 Mars, 2024 - 5:00 pm
“Skulpturë” titullohet ekspozita vetjake e skulptorit Pjerin Kolnikaj, e cila u çel në Galerinë FAB. Në ceremoninë e inaugurimit ishin të pranishëm miq, kolegë artistë e dashamirës të artit.
“Sa herë e sjell në vëmendje, Pjerin Kolnika më ndërlidhet me disa livadhe të munguara në peizazhin e artit, ku në një formë apo në një tjetër presim të lulëzojnë trajtat parake të pavetëdijes, që në të shumtë kanë diçka nga adoleshenti që rreket të vendosë një rend të ri estetik”, është shprehur Vladimir Myrtezai, i cili e konsideron Kolnikën, një artist të rëndësishëm të pasnëntëdhjetës, në një lidhje organike me misionin e tij si artist dhe si njeri.
Shumë nga punët e Kolnikës janë embrionale, me një trajektore parashikimi të hershëm, si një ëndërr që nuk dorëzohet në një territor të pamundur mundësish kur bëhet fjalë për ta aplikuar në hapësirë.
Veprat e Kolnikajt do të presin artdashësit deri më datën 2 prill 2024./KultPlus.com