21 Dhjetor, 2023 - 5:19 pm
Këtë fundjavë Korça do të jetë sërish në qendër të vëmendjes. Më datë 23 dhjetor në qytetin e serenatave dhe turizmit gjithëvjetor, do të çelet një nga ekspozitat më të veçanta në vend.
“Prekni nga afër engjëj e shenjtorë! Për herë të parë pasuria ikonografike e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar vjen e “gjallë” përmes teknologjisë në Muzeun e Arteve Digjitale në Korçë”, shkroi ministrja e Kulturës, Elva Margariti në rrjetet sociale.
Galeria e Arteve Digjitale (GAD) do të ofrojë përmes kësaj ekspozite unike, një eksperiencë të pazakontë, në prag festash.
Vetë GAD ftoi artdashësit përmes rrjeteve sociale, duke shkruar: “Përjetoni shkëlqimin e trashëgimisë tonë kulturore si kurrë më parë! Kjo nuk është thjesht një ekspozitë; është një udhëtim nëpër kohë.”
Ekspozita e parë imersive e artit digjital “Ikonografia Shqiptare; Mjeshtrat e mëdhenj”, pas 23 dhjetorit do të jetë e hapur për publikun, nga e marta në të diel, në orarin 12:00-20:00.
Siç shkruhet në faqen e Galerisë së Artit Digjital Korçë, duhet të përgatiteni të përjetoni një udhëtim pamor mahnitës që përshkon shekujt e ikonografisë shqiptare, nëpërmjet punëve të jashtëzakonshme të mjeshtrave të mëdhenj të artit mesjetar.
Kjo ekspozitë është mundësuar falë mbështetjes dhe fondit të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar./KultPlus.com