25 Shkurt, 2025 - 4:03 pm
Ekspozita e titulluar “Mediterranea. Vizionet e një deti të lashtë dhe kompleks” prej nesër do të jetë gati për publikun artdashës të Tiranës dhe gjithë vizitorët e kryeqytetit.
Drejtori i Institutit Italian të Kulturës në Tiranë, Alessandro Ruggera, prezantoi ekspozitën multimediale në rrjetet sociale, ku tha se ekspozita ka harta gjeografike, dokumente historike, fotografi satelitore e regjistrime audio e video, të gjitha për të treguar bukurinë dhe madhështinë e Mesdheut, detit që lag brigjet e vendeve tona dhe që ka qenë djepi i qytetërimit modern.
Ekspozita e ngritur në mjediset e Galerisë së Artit Bashkëkohor GOCAT, është mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, të Italisë dhe e kuruar nga Viviana Panaccia.
Ekspozita përdor imazhe të marra nga teknologjia më e avancuar hapësinore, e zhvilluar nga Agjencitë Hapësinore Italiane dhe Europiane, si dhe nga Telespazio/e-Geos. Ekspozita “Mediterranea” ka imazhe të jashtëzakonshme, krahas hartave dhe veprave të lashta të artit, në një sintezë kulture, arti dhe shkence, mes të shkuarës dhe së tashmes./atsh/KultPlus.com