3 Shtator, 2023 - 5:14 pm
Flonja Haxhaj
Mbrëmjen e së premtes, Galeria Kombëtare e Kosovës, mori tjetër pamje e imazh me hapjen e ekspozitës ‘Lumturi Blloshmi, nga e para’, si një rikthim të një pune më shumë se 50-vjeçare që artistja Blloshmi la pas vetës, e që u soll në Prishtinë nga kuratorja Adela Medetja, shkruan KultPlus.
Ekspozita ‘Lumturi Blloshmi, nga e para’ vjen në Prishtinë pas prezantimit të suksesshëm në Bienalen e 59-të të Venecias. Nderkaq, në Prishtinë, kjo ekspozitë retrospektive ofroi një prezantim më të detajuar dhe të zgjeruar të veprave të kësaj artiste të shquar shqiptare, duke zbuluar historinë e krijimtarisë së saj më shumë se gjysëm-shekullore.
Ekspozita erdhi si një udhëtim kronologjik në jetën artistike të Lumturi Blloshmi dhe përfshin një gamë të gjerë të punëve të saj. Në ‘Lumturi Blloshmi, nga e para’ u prezantuan autoportrete, peizazhe, portrete, kompozime në pikturë, fotografi, dhe instalacione që shpërndahen në mënyrë koherentë nëpër galeri.
Kuratorja e ekspozitës, Adela Demetja, tha para të pranishmëve se për dallim nga Bienalja e Venecias, ekspozita në Prishtinë prezantohet një punë edhe më e detajuar e artistes Blloshmi, nga ato të viteve 1962 deri më 2018.
“Kësaj here, në këtë ekspozitë ne sjellim retrospektivën më të madhe të artistes deri më sot, dhe jam shumë e lumtur që këtë retrospektivë ajo do ta ketë për herë të parë në Prishtinë dhe në Galerinë Kombëtare këtu, e para, sepse e dëshironte vetë Lumturia këtë gjë ngaqë ishte shumë e lidhur me Kosovën dhe është ndjerë shumë e vlerësuar në Kosovë atëherë kur është ekspozuar. Sigurisht, shumë nga ne Lumturinë e kanë njohur personalisht, gjithashtu dhe një pjesë të krijimtarisë së saj, por thellësinë e punës së Lumes që është shtrirë për më shumë se 50 vjet ndoshta askush nga ne nuk ka pasur mundësinë ta shohë më përpara”, u shpreh Demetja, duke shtuar më tutje se karakteri i fortë i Blloshmit dhe gjithmonë largpamës e bëri atë një artiste eksperimentale dhe që shumë shpesh ishte një ose dy hapa para kohës së saj.
Në hapjen e ekspozitës ‘Lumturi Blloshmi, nga e para’ ishte i pranishëm edhe nipi i Lumturi Blloshmit, Ervin Blloshmi, i cili u shpreh falënderues dhe mirënjohës për secilin që ka punuar për të sjellë këto vepra në Prishtinë.
“Adela si një studiuese dhe admiruese e krijimtarisë së Lumturisë e bëri përsëri të mundur që veprat e saj të shijohen nga publiku i gjerë dhe ka bërë një punë fantastike. Unë si trashëgimtar dhe përkujdesës i krijimtarisë së saj do t’u jem gjithmonë mirënjohës për punën dhe djersën që ka futur i gjithë ekipi në organizimin e kësaj ekspozite. Fuqia që Lumturi Blloshmi kishte të paketuar në vetvete ishte si një forcë e mbinatyrshme, ajo kurrë nuk e vuri në pikëpyetje ekzistencën e saj si artiste, egoja pa të cilën nuk mund të arrihet asnjë gjë, nuk e tradhëtoi kurrë atë, vepra e saj paraqet realitetin në një sinqeritet lakuriq nëpërmjet simbolizmit, ekspresionizmit dhe dialektikës artistike, mjeshtëria e trajtimit të materialeve qëndron krah për krah me konceptualitetin për të transmetuar një goditje emocionale që konfirmohet nga shikuesit dhe admiruesit e artit të saj”, u shpreh Blloshmi në vijim.
Ndërkaq, për shumë vite Lumturi Blloshmi u krahasua me Frida Kahlon. Puna e saj në artin pamor nisi në vitet 1973-1974, një periudhë delikate në artin shqiptar. Lumturi Blloshmi arriti të krijojë dhe t’i shmanget presionit të kohës duke u fokusuar tek peizazhi dhe natyrat e qeta. Në fillim të viteve ’90, Blloshmi kërkoi dhe gjeti një karakter tjetër artistik dhe u bë shumë shpejt pjesë e atyre artistëve që i dhanë frymëmarrjen e parë artit modern dhe postmodern shqiptar përmes performancave dhe instalacioneve.
Lumturi Blloshmi lindi në Tiranë në vitin 1944. U diplomua për pikturë në vitin 1968. Në vitin 1988 çeli ekspozitën e parë personale në Berat dhe po atë vit mori pjesë në Bienalen e Ankarasë (Egjypt). Gjatë viteve ’89-’91, çeli dy ekspozita vetjake në GKA. Midis viteve 1992- 2010 Blloshmi ka marrë pjesë në ekspozita të ndryshme në grup si në Selanik, Madrid, Lion, Budapest, Stamboll, Paris, Zyrih, Gjenevë, Modena, Hag, Neë York etj. Ishte fituese e konkursit ndërkombëtar “Onufri ’94”./KultPlus.com