Ekspozitë e nxënësve nga Tetova në mjediset e Presidencës, Begaj: Misionarë të ruajtjes së shpirtit të kombit

17 Janar, 2025 - 4:01 pm

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, hapi dyert e institucionit për artistët e vegjël të shkollës së mesme komunale të tekstilit në Tetovë.

Ekspozita e çelur në presidencë, solli nga Tetova në Tiranë, 63 punime me larmi ngjyrash e rrymash të cilat pasqyruan talentin e fëmijëve të frymëzuar nga tradita.

Presidenti Begaj, në fjalën e mirëseardhjes së tyre, i cilësoi fëmijët si misionarë në vijimësinë e ruajtjes së shpirtit të kombit, promovues të vlerave kulturore dhe edukative.

“Shkolla juaj profesionale ka një traditë disavjeçare në dizajnin e veshjeve të ndryshme, arte të aplikuara të interiorit, mobilieve dhe prodhimeve artizanale e ushqimore, dhe ky është një model që meriton promovim mbarëshqiptar, mbarëkombëtar”, u shpreh presidenti.

Kreu i Shtetit këshilloi artistët e vegjël të vijojnë me ruajtjen dhe promovimin e traditës. Duke iu referuar xhubletës dhe k’cimit të Tropojës të mbrojtur nga UNESCO, presidenti Begaj, u shpreh se, duhet të vazhdojmë të punojmë fort që edhe veshjet tona mijëravjeçare të trevave të tjera të shqiptarisë të shndërrohen në pasuri të të gjithë njerëzimit.

Në këtë aktivitet ishte i pranishëm dhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Nxënësit dhe mësuesit nga Tetova shkëmbyen ide me artistët dhe profesorët e Liceut Artistik të Tiranës për krijimin e mundësisë së institucionalizimit të bashkimit të të rinjve në trevat shqiptare./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme