Ekspozitë e përbashkët shqiptaro-kineze në Galerinë e Tiranës

24 Shtator, 2024 - 1:29 pm

Një prej aktiviteteve në programin e Javës Kulturore Kineze është dhe ekspozita e çelur në Galerinë e Artit Tiranë, me titull “MIQTË / Art & Histori”. Ekspozita do të qëndrojë e hapur gjatë gjithë Javës Kineze, nga 23 deri më 29 shtator. Kjo është një ekspozitë e përbashkët pikture me artistë kinezë dhe shqiptarë.

JKN shkruan në faqen e tyre online se janë miqësitë ato që na ndihmojnë të çmojmë dhe të respektojmë kulturat e njëri-tjetrit, duke nxitur bashkëpunime përtej kufijve dhe duke u mbështetur fuqimisht tek arti, që na frymëzon të gjithëve.

Javët Kulturore Ndërkombëtare ftojnë artdashësit të zbulojnë këtë dialog vizual që lidh dy kultura dhe ndan emocione dhe mesazhe të thella përmes artit. Ekspozita e kuruar nga Helidon Haliti, e sjell artin si një mjet të mrekullueshëm lidhës mes njerëzve dhe vendeve dhe tregon se në këtë rrugëtim kemi qënë në gjëndje të ruajme kujtesën tonë të përbashkët.

Java Kulturore Kineze (23-29 shtator) përkon dhe me 75-vjetorin e vendosjes të Marrëdhënieve Diplomatike mes Shqipërisë dhe Kinës. Programi njëjavor është i mbushur me evente të ndryshme, të cilat sjellin për publikun artin dhe kulturën mijëravjeçare të Republikës së Kinës: nga muzika tek kinematografia, nga eskpozitat e pikturës tek gastronomia dhe lojrat për fëmije, kjo javë ofron emocion dhe argëtim për këdo./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme