28 Gusht, 2024 - 4:28 pm
Sot përkujtohet 100-vjetori i lindjes së fratit françeskan, publicistit dhe shkrimtarit memuarist shqiptar, At Zef Pllumi.
Biblioteka Kombëtare çeli ekspozitë në nderim të kësaj figure të rëndësishme të jetës kulturore, politike dhe ndërgjegjes kombëtare. Ekspozita me libra dhe dorëshkrime do të qëndrojë e hapur për publikun në hollin kryesor të BKSH-së.
At Zef Pllumi vuajti për 26 vite në burgjet politike komuniste dhe pas rënies së diktaturës hodhi në letër kujtimet e tij.
Vepra më e madhe dhe më e rëndësishme e tij është triologjia “Rrno vetëm për me tregue”, botuar për herë të parë në vitin 1995, shoqëruar me parathënien “Nën këmishën e hekurt të kujtimeve” të prof. Aurel Plasarit. Botimi i dytë në 2006 u shoqërua me një parathënie nga kolosi i letrave shqipe, Ismail Kadare.
Zef Pllumbi lindi në Bogë, më 28 gusht 1924. Që në fëmijëri u njoh nga afër me fretërit françeskanë Gjergj Fishta dhe Anton Harapi, të cilët ndikuan në formimin e tij fetar. Më 1931 hyri në kolegjin françeskan të Shkodrës, ku jepnin mësim personalitete si vetë Fishta, Harapi, kompozitori Martin Gjoka etj. Merr formim klasik në filozofi, teologji, letërsi dhe përvetëson mjaft mirë gjuhët e huaja: latinishten, italishten, frëngjishten, gjermanishten dhe greqishten e vjetër.
Në vitet 1943-1944, Zef Pllumbi ishte një nga bashkëpunëtorët e revistës “Hylli i Dritës” dhe sekretar personal i at Anton Harapit, i cili e caktoi që të rendiste e ndihmonte në Arkivin Françeskan. Zef Pllumi njihet aty me dokumente të hershme e ndër më të vlefshmet për historinë kombëtare.
Afria dhe bashkëpunimi i Zef Pllumbit me emra të rëndësishëm të klerit katolik u bënë shkak për arrestimin dhe dënimin e tij. Për herë të parë u arrestua dhe u dënua në 1946, kur ishte vetëm 22 vjeç.
Më 1989 lirohet nga burgu dhe me vendosjen e demokracisë, at Zefi fillon meshtarinë te Kisha e Shn’Andout në Tiranë deri në vitin 1997.
Në vitin 2006 At Zef Pllumbi dekorohet me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe vlerësohet me çmimin “Penda e Artë” për trilogjinë e tij me kujtime “Rrno vetëm për me tregue”.
Ekspozita përfshin veprat e tij si “Françeskanët e mëdhaj”, “Siç thonim dje…= Ut heri dicebamus”, “Frati i pashallarëve Bushatli të Shkodrës”, “Histori kurrë e shkrueme”, “Saga e fëmijnisë”, “Antipoezi për shekullin e njizetë”./atsh/KultPlus.com