6 Mars, 2025 - 1:31 pm
Më 7 Mars në qytetin e Korçës do të çelet ekspozita “Gjurmë dijesh, fletoret e para”, duke kremtuar kështu Ditën e Mësuesit e njëkohësisht 138-vjetorin e hapjes së Mësonjëtores së Parë Shqipe.
Aktiviteti është organizuar nga Muzeu i Arsimit, Korçë në bashkëpunim me koleksionistin Mirgen Shamblli, Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Korçë dhe Bibliotekën Publike “Thimi Mitko”.
Drejtoresha e Muzeut të Artit Mesjetar, Fjoralba Prifti, që administron njëkohësisht edhe Muzeun e Arsimit, tha për ATSH-në se do të ekspozohet koleksioni i fletoreve prej vitit 1920 – 1955, të ruajtura nga koleksionisti Mirgen Shamblli. Ndërsa biblioteka e qytetit do të ofrojë për ekspozitën regjistrin e shkollës fillore femërore 1923-1924 dhe të viteve 1945-1946.
Drejtoresha Prifti shpjegon se, në hapjen e shkollës, nxënësit shkruanin mbi pllaka grafiti. Pikërisht një e tillë disponohet në koleksionin e muzeut, e cila do të ekspozohet për qytetarët./atsh/KultPlus.com