11 Mars, 2021 - 4:10 pm
Fotografi, aktgjykime nga procese të ndryshme, lajme gazetash dhe revistash legale dhe ilegale, raporte të shkrimeve nga media të huaja, pankarta dhe parulla ishin prezantuar brenda ekspozitës “Vullkani i Republikës”, ekspozitë kjo që është organizuar në Mensën të 40 vjetorit të demonstratave të vitit 1981, shkruan KultPlus.
Vizitorët e shumtë patën rastin të shohin nga afër dokumente që ishin shpërndarë gjatë viteve të 80-ta, gjithandej nëpër Kosovë.
Në këtë ekspozitë ishte e pranishme edhe ministrja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Vlora Dumoshi, kryetarë të komunave të Kosovës, sikurse edhe përfaqësues nga parti dhe shoqata të ndryshme.
Kryetari i Këshillit Organizativ “Pranvera Shqiptare 81”, Hydajet Hyseni kujtoi dhe vlerësoi mundin e sakrificës së pjesëmarrësve në demonstrata. “Në të kaluarën shqiptare, marsi ka pasur një domethënie gjithmonë të veçantë. Ishte diçka mes acarit dhe pranverës që po vinte, mes dimrit dhe asaj që po sillte behari”, ka thënë Hyseni mes të tjerash për këtë ngjarje që filloi pikërisht në Qendrën e Studentëve të Universitetit të Prishtinës, aty ku sot Agjencia Shtetërore e Arkivave bëri hapjen e ekspozitës.
Këto demonstrata erdhën si rrjedhojë e pakënaqësive që studentët kishin me masat e pushtetit. Duke mos u mjaftuar me kaq, situata kishte eskaluar dhe revolta ishte shtrirë nëpër rrugë të ndryshme të Prishtinës. Demonstrata ishte mirëpritur dhe ishte përkrahur edhe nga pjesa më e madhe e rinisë për të vazhduar shtrirjen e saj deri në momentin kur u bë demonstratë gjithëpërfshirëse për nga mosha, përkatësia sociale, dhe për nga synimet politike e cila nuk do të ndalonte deri në vitet 1999.
Kishte nisur si protestë por që brenda dy muajsh kishte kaluar në kryengritje. Sigurisht se pas kësaj ngjarjeje kishin pasuar edhe dënimet nga më të rëndat për pjesëmarrësit e kësaj demonstrate nga radhët e pushtetit jugosllav.
Ndërkohyë, në këtë ekspozitë ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti i cili edhe ka dhënë lejen për ngritjen e monumentit, që sot u hodhën themelet e tij. Arsyeja e vendosjes së këtij monumenti në ambientet pranë Qendrës së Studentëve në Prishtinë ishte pikërisht fillimi i këtyre demonstratave brenda ambienteve të mensës.
“Dilemat për vendosjen e monumentit ishin mes Qendrës së Studentëve, Kuvendit të Kosovës dhe Qendrës së qytetit. Kudo që ta vendosnim nuk do të gabonim, sepse demonstratat e ‘81 kanë qenë bazë e shtetit të Kosovës. Jo vetëm nga çfarë u kërkua në ato demonstrata por ishin shenjë e një populli që jeton” ka thënë Ahmeti.
Në këtë event i ftuar ishte edhe Kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Maqedonisë Fazli Veliu, pasi që pjesëmarrës të kësaj lëvizjeje mbarëkombëtare kishin qenë edhe pjesëmarrës nga troje të tjera shqiptare.
Veliu kujtoi edhe veprën madhore të Adem Demaçit “Gjarpinjt e gjakut” që kishte një domethënie të veçantë për kombin. Pas fjalimeve që shënuan hapjen e kësaj ekspozite të pranishmit patën mundësinë të njiheshin më nga afër me këto dokumente të cilat shënojnë histori për popullin tonë.
Ekspozita do të qëndroj e hapur deri më datë 13 të këtij muaji./ KultPlus.com