Ekspozitë për shkollën e parë, prezantohet botimi i parë i Kristoforidhit i vitit 1872

10 Mars, 2023 - 10:15 pm

Në Gjirokastër në 115 vjetorin e hapjes së shkollës së parë shqipe u përkujtua me një ekspozitë historike kontributi i gjuhëtarëve, rilindasve dhe disa prej mësuesve të parë të shqipes.

Ekspozita kronologjike e abetareve të shqipes duke nisur me të parin botim të Kristoforidhit më 1872 e deri tek botimet bashkëkohore janë të vizitueshme për publikun krahas disa dokumentave të rrallë që bëhen publikë për herë të parë.

Studiuesi Niko Kotherja tha se vlera  e dorëshkrimeve autentike të Pandeli dhe Koço  Sotirit  i shtohen arkivit historik të përpjekjeve për gjuhën dhe  identitetin kombëtar.

Këtë vit në Gjirokastër do të përkujtohet edhe 100 vjetori i Liceut si dhe ngjarje të tilla si vënia në skenë për herë të parë e një drame në shqip nga Koto Hoxhi e titulluar “Dasma lunxhote”.

Pjesë e materialit dokumentar të ekspozuar për festat e marsit janë edhe botime të shumta të teksteve shkollore dhe literaturës plotësuese në shqip të botuara jashtë vendit nga klubet patriotike të emigrantëve. Një pjesë e tyre u bënë literatura bazë e çeljes së shkollës “Liria” 115 vjet më parë prej shoqërisë patriotike “Bashkimi”./ KultPlus.com

Të ngjajshme