Elbasani, qyteti model në respektimin total të rregullave si pasojë e COVID – 19

8 Prill, 2020 - 1:30 pm


Jo më kot një ditë më parë vetë Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale, vlerësoi Elbasanin si qytetin model në respektimin total të rregullave si pasojë e COVID – 19.

Elbasani ishte qyteti i parë që vendosi rrathët e verdhë në supermarkete dhe në bankat e nivelit të dytë ku kohët e fundit ka pasur radhë të gjata, pasi njerëzit kryejnë shërbimet bankare si edhe bëjnë pazaret e ditës.

Bashkia e Elbasanit e ka kthyer në rutinë çdo ditë edhe dezinfektimin e qytetit, ku mjetet e Bashkisë qarkullojnë në të gjithë rrugët kryesore dhe dytësore duke pastruar dhe dezinfektuar rrugët.

Gjithashtu vetë kreu i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, ka angazhuar të gjithë stafin e bashkisë që të shkojnë tek të gjithë pensionistët e vetmuar që t’i vijnë në ndihmë këtyre të fundit për t’i bërë pazaret e ditës, me qëllim që këta të fundit të mos dalin vetë në rrugë.

Sakaq një fushatë e cila ka nisur që në fillimet e shfaqjes së COVID– 19 është edhe shpërndarja e ndihmave humanitare.

Çdo ditë ekipi i bashkisë i mbështetur nga shoqata të ndryshme bamirësie vijojnë shpërndarjen e ndihmave ushqimore dhe medikamenteve tek të moshuarit e vetmuar si edhe tek familjet më në nevojë.

Vetëm në njësinë administrative Bradashesh, operacioni humanitar i kryesuar nga vetë kreu i bashkisë Gledian Llatja u ndal tek të moshuarit që jetojnë vetëm, familjet më në nevojë si edhe tek personat me aftësi ndryshe ku janë shpërndarë 150 pako me ndihma ushqimore, barna mjekësore si edhe bërjen e pazareve.

Edhe një herë Llatja ka bërë thirrjen publike për të gjithë qytetarët Elbasanit më së shumti ata nën 45 vjeç që të ndihmojnë të moshuarit në lagjet e tyre në këto ditë të vështira./atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme