26 Prill, 2024 - 9:45 pm
Sopranoja shqiptare Elbenita Kajtazi e cila ka shënuar një sukses të madh nëpër teatro të njohura evropiane, së fundmi ka realizuar një ëndërr të kahmotshme të saj, shkruan KultPlus.
Me përkrahjen e shumë miqve artdashës dhe sponsorëve të shtëpive operistike në Gjermani, mbrëmë është mbajtur koncerti inaugurues i nismës së nisur nga Kajtazi, ku edhe u mblodhën gjithsej 14.000 Euro.
Ajo këtë nismë/bursë e ka emërtuar si “Bajar Berisha Stipendium”.
“Fituesi i parë i këtij edicioni është kontrabasisti Fitim Ukiqi, student i mrekullueshëm i cili studion në Akademinë muzikore në Darmstadt, Gjermani. Studentë si Fitimi, të përkushtuar dhe të cilët nuk heqin dorë kurrë nga ëndrrat e tyre, pa marrë parasysh, se përpara çfarë sfidash gjenden, meritojnë t’i përkrahim. Talentë të tillë si Fitimi do të jenë përfitues të edicioneve të ardhshme”, ka shkruar Kajtazi.
Më poshtë gjeni postimin e saj të plotë:
Një ëndërr e imja e kahmotshme morri jetë mbrëmë.
Suksesi im i deritanishëm është rezultat i mbështetjes së madhe që kam marrë nga shumë njerëz, të cilët sot i konsideroj familje. Një ndër të parët që besoi shumë në mua ishte profesori im i nderuar, tashmë i ndjerë, Bajar Berisha.
Ka dhjetë vite që jetoj dhe veproj në Gjermani dhe gjatë kësaj kohe kam ndihmuar dhe përkrahur studentë të ndryshëm, që sot edhe bëjnë karrierë nëpër botë. Këtë përkrahje mendova ta vazhdoj përmes themelimit të një burse për studentë shqiptarë nga të gjitha trojet tona, të cilët studiojnë në një nga degët e arteve të bukura në Gjermani.
Si falënderim dhe mirnjohje për mbështetjen e pakursyer që kam marrë nga profesori dhe dirigjenti ynë i mirënjohur Bajar Berisha, kam vendosur që bursën ta emërtoj “Bajar Berisha Stipendium”.
Me përkrahjen e shumë miqve tanë artdashës dhe sponsorëve të shtëpive operistike në Gjermani, mbrëmë është mbajtur koncerti inaugurues i kësaj nisme, ku edhe u mblodhën gjithsej 14.000 Euro.
Fituesi i parë i këtij edicioni është kontrabasisti Fitim Ukiqi, student i mrekullueshëm i cili studion në Akademinë muzikore në Darmstadt, Gjermani. Studentë si Fitimi, të përkushtuar dhe të cilët nuk heqin dorë kurrë nga ëndrrat e tyre, pa marrë parasysh, se përpara çfarë sfidash gjenden, meritojnë t’i përkrahim. Talentë të tillë si Fitimi do të jenë përfitues të edicioneve të ardhshme.
Dua të falënderoj nga zemra të gjithë miqt dhe përkrahësit e mi që besuan në synimin tim dhe nuk më lëshuan dorën në këtë iniciativë dhe e bënë të mundur realizimin e kësaj nisme: Leonie dhe Lars Bogdahn, The Studios Brand Design, Organizatën ODA e.V. Hamburg, në krye më Muhamet Idrizin, bashkëshortin tim Ardian Gega i cili kësaj mbrëmje i kushtoi veprën “Trembem” për soprano, kontrabas dhe piano, me tekst të Emin H. Daka, pianisten e mrekullueshme shqiptare Elda Laro, e cila iu bashkëngjit kësaj iniciative me shumë përkushtim, pianisten Camille Lemonnier, si dhe Albert Bisakun, i cili mahniti të ftuarit gjermanë me ushqime tradicionale shqiptare.
Në ditët e ardhshme do t’i ndajmë me ju të gjitha informacionet e nevojshme për mënyrën e aplikimit për të fituar bursën për vitin 2025. / KultPlus.com