3 Janar, 2024 - 4:07 pm
Revista e njohur “Elle España” ka publikuar një artikull për Shqipërinë, konkretisht Vlorën, duke e cilësuar si destinacionin kryesor për 2024.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale shkrimin e publikuar në “Elle España”.
“Edicioni në spanjisht i revistës së njohur “Elle”i kushton këtë artikull Shqipërisë si një ndër destinacionet më të rëndësishme europiane për spanjollët gjatë 2024-ës, duke u ndalur në Vlorë, mes plazheve e maleve, lagunës së Nartës e ishullit të Zvërnecit, turizmit kulturor e atij kulinar duke vlerësuar me 5 yje tavën tonë të kosit”.
Rama bëri të ditur se “93% më shumë spanjollë krahasuar me një vit më parë, kanë vizituar vendin tonë gjatë periudhës janar-nëntor 2023”.
“Ky qytet bregdetar është shpallur si “Maldivet e Evropës” dhe është një nga destinacionet kryesore për të vizituar në vitin 2024. Vlora është vendi perfekt për të shkuar me pushime në plazh, pasi është pagëzuar nga platforma e lartpërmendur si “Maldivet e Evropës” dhe udhëtimi zgjat vetëm pak orë. Vlora, një qytet i vogël i vendosur në jugperëndim të Shqipërisë dhe 135 km larg nga kryeqyteti, Tirana, i cili mund të jetë një udhëtim i mirë ditor nëse doni të ndryshoni rutinën e plazhit, është pika e nisjes së Rivierës Shqiptare e ndodhur midis Adriatikut dhe Jonit”, thuhet në artikullin e Begona Alonso në revistën “Elle España”.
Në artikull shkruhet gjithashtu se “disa nga destinacionet më të bukura të Vlorës, thesaret e Rivierës Shqiptare janë, Gadishulli i Karaburunit, më i madhi në Shqipëri, Ishulli i Sazanit, Parku Arkeologjik antik i Orikumit, Parku Arkeologjik i Amantias, si dhe fshatrat e bukur bregdetar dhe shpellat e paeksploruara në detin Jon, Kalaja e Porto Palermos në Himarë”.atsh/KultPlus.com