17 Qershor, 2022 - 9:30 am
Pronari i Tesla dhe SpaceX, Elon Musk, është paditur për 258 miliardë dollarë nga një investitor i Dogecoin, i cili e akuzoi atë për drejtimin e një skeme piramidale për të mbështetur kriptomonedhën.
Skema piramidale është një sistem mashtrues për të fituar para bazuar në rekrutimin e një numri gjithnjë në rritje të “investitorëve”. Promovuesit fillestarë rekrutojnë investitorë, të cilët nga ana e tyre rekrutojnë më shumë investitorë, e kështu me radhë.
Në një ankesë të paraqitur në gjykatën federale në Manhattan, paditësi Keith Johnson akuzoi Musk, kompaninë e makinave elektrike Tesla Inc dhe kompaninë e turizmit hapësinor SpaceX, për shantazh për reklamimin e Dogecoin dhe rritjen e çmimit të tij, vetëm për ta lënë çmimin të bjerë.
“Të pandehurit ishin të vetëdijshëm që nga viti 2019 se Dogecoin nuk kishte asnjë vlerë ende duke promovuar Dogecoin për të përfituar nga tregtimi i tij. Musk përdori piedestalin e tij si njeriu më i pasur në botë për të operuar dhe manipuluar Skemën Piramidale Dogecoin për përfitim, ekspozim dhe argëtim”, thuhej në padi.
Ankesa gjithashtu grumbullon komente nga Ëarren Buffett, Bill Gates dhe të tjerë që vënë në dyshim vlerën e kriptomonedhës.
Johnson po kërkon 86 miliardë dollarë dëmshpërblim, që përfaqëson rënien e vlerës së tregut të Dogecoin që nga maji 2021, dhe dëshiron që ajo të trefishohet.
Ai gjithashtu dëshiron të bllokojë Musk dhe kompanitë e tij nga promovimi i Dogecoin, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Tesla në shkurt 2021 tha se kishte blerë 1.5 miliardë dollarë Bitcoin, dhe për një kohë të shkurtër e pranoi atë si pagesë për automjetet.
Dogecoin për momentin tregtohet me rreth 5.8 centë, nga kulmi i majit 2021 prej rreth 74 cent./ Gazeta express / KultPlus.com