Elona Kamberi, drejtuese e Task-Forcës austriake në Komisionin Evropian

31 Gusht, 2020 - 6:46 pm

“Unë flas gjermanisht në punë, por pas punës zemra më flet shqip. Jam shumë e integruar, por kjo nuk do të thotë e asimiluar”, thotë Elona Kamberi për albinfo.at, njëra nga femrat më të suksesshme shqiptare në Austri.

Nga bjeshkët shqiptare të Opojës vjen një shkëndijë në shndritjen e imazhit tonë shqiptar deri në zemër të Evropës, aty ku kahet marrin drejtimin edhe për nesër. Është kjo vajzë fjalëpakë, modeste por e brumosur me dije e qëndrim të njeriut modern ashtu siç e do koha, quhet Elona Kamberi. Ajo vjen nga fshati Blaç në lartësinë ku edhe shkëmbinjtë flasin shqip, atje ku errësira e aziatike e fanatizmit ndaj gruas tenton ta kaplojë Opojën. Por, Jo! Aty, prindërit Kamberi, me traditë në arsim e edukim kombëtar sollën dritën e diturisë, fëmijët e tyre i shkolluan duke u dhënë përparësi vajzave. E brumosur me edukatë të familjes malësore, e ngjizur me virtytet e trashëguara të brezave, Elona Kamberi, do të ngjitet lart në krahët e shkencës dhe detyrës deri tek gazeta më prestigjioze austriake “Die Presse“. Dhe, ky do të jetë hapi i radhës drejtë portave të institucioneve më të larta të Austrisë, vendit, ku vlerësohet puna e rezultati i saj, vlera e saj në interesin e perspektivës. Deri te emigrantja e parë e inkuadruar në një ministri vendore, madje menaxhere e suksesshme e saj.

Secili, veçanërisht, ata që merren me shkrime kur njihen me sukseset e një vajze shqiptare kanë emocion dhe kureshtje të fuqishme të takohen për së afërmi për të mësuar mbi jetën dhe planet e saj. Që herët, Elona kishte dëshirë për t’u shkolluar jashtë vendit. Në Austri vjen në vitin 2004, regjistron gjimnazin të cilin e mbaron me sukses dhe pastaj studimet; paralelisht në shkencat politike dhe për përkthyese në gjuhët: gjermanisht, anglisht dhe italisht. Krahas studimeve, ajo punon në disa projekte. Në konkursin e gazetës “Die Presse” (shtypi) konkurron për gazetare dhe në testin pranues, Elona pranohet në mesin e 5 kandidatëve gazetarë nga 200 konkurrentë. Ishte ky një tregues bindës mbi përgatitjen e shkëlqyer të Elonës në studimet e saj. Fillimisht në “Die Presse” punon si praktikante, por pasi tregohet shumë e suksesshme në punë, i mundësohet asaj puna në gazetë si gazetare e lirë për një kohë të shkurtër.

Menaxhere e kabinetit ministror

Angazhimi dhe sukseset e saj në “Die Presse”, vlerësohen nga stafi redaktues dhe redaktori i saj. Ky i fundit, duke e parë aftësitë e Elonës e sugjeron të konkurrojë për menaxhere në kabinetin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit, pasi ishte zgjedhur ministri i ri. Elona vendos të konkurrojë duke i plotësuar kriteret në një konkurrencë të fortë, dhe arrin të punësohet. Për Elonën, kjo ishte befasi duke i ditur rrethanat, sa e vështirë ishte konkurrenca. “Në këtë më ka ndihmuar njohja e disa gjuhëve, njohuritë nga politika ndërkombëtare dhe në veçanti gazetaria, pra komunikimi me shtypin që i duhej aq shumë Ministrisë së Ambientit”, thotë ajo për albinfo.at. “Detyrat e mia ishin: të organizoj takimet ndërkombëtare, të mundem t’i sjell këtu tek ministri për bisedime personelin, ta përgatis ministrin rreth temës së caktuar dhe cilat janë aktualitetet e shtetit prej nga vijnë, rreth diplomacisë deri tek arritja e një marrëveshje me interes të vendit; ta përgatis për kontakte me mediat; intervista të ndryshme. “Nuk ishte e lehtë. Shpesh duhej një javë punë e imja intensive për ta përgatitur takimin e ministrit me mediat: TV, shtyp etj”. Kur ministri ishte në zyrë dhe kishim vizitorë, duhej kujdesur për bisedën me ta, për ta shkruar protokollin rreth takimit si material dokumentues. Elona kishte rolin edhe të zëdhënëses të Ministrisë për mediat ndërkombëtare dhe shqyrtimin e kërkesave të tyre.

Është interesante se vajza jonë ishte emigrantja e parë e të gjitha kohërave që punon direkt në një kabinet të ministrit. “Një rast që nuk e harroj, ishte kur erdhi për vizitë ish -kancelari i Austrisë, Wolfgang Schüssel. Më pyeti për kombësi. I tregova se jam shqiptare. Ai tha: ‘E kam ditur se shqiptarët janë shumë inteligjentë, por jo kaq shumë që mund të vijnë për të menaxhuar zyrat tona të ministrisë’. Kjo ishte një nder i madh mua dhe imazhin e shqiptarëve në përgjithësi”.

Imazhi shqiptar në Austri

Elona, me ish ministrin austriak, Andrä Rupprechter

Në Austri shqiptarët kanë imazh të mirë, shumica integrohen mirë, Elona është shembulli i shkëlqyer, e cila jep kontributin e saj për këtë me punën e saj përmes shkrimeve si gazetare dhe angazhimeve të saj në projekte me rëndësi ku tregohet aftësia e qëndrimi ndaj punës dhe rrethit shoqëror. “Unë flas gjermanisht në punë, por, pas punës zemra më flet shqip. Jam shumë e integruar, por kjo nuk do të thotë asimilim. Jam me nënshtetësi kosovare, kjo nuk me ka penguar asnjëherë”, shton ajo.

Elona merr mirënjohje nga ministri Andrä Rupprechter

Në tetorin e vitit 2017, Ministri Andrä Rupprechter, i kënaqur me punën e Elonës i ndan asaj mirënjohje të veçantë me motivacionin: “Për kontribut në realizimin e projektit për zhvillimin rural në Austri”. Këtë çmimin ajo ia dedikon mikes së saj tashmë të ndjerë Dr. Vlorë Mehmeti – Tërshani, e cila siç shprehet ajo, ishte për të model dhe inspirim në çdo aspekt.

Aktualisht zonja Kamberi punon në kabinetin e ministres austriake për Digjitalizim dhe Zhvillim Ekonomik, Margarete Schramböck. Ajo është drejtuese e Task-forcës shtetërore austriake për zbatimin e planit “Green Deal” të Komisionit Evropian dhe përfaqëson Austrinë në të gjitha mbledhjet koordinuese të kësaj fushe në Bruksel. Task-forcë grumbullon sektorë të ndryshëm të politikës, ekonomisë dhe shoqërisë civile të cilët janë të interesuar për transformimin e një shoqërie dhe ekonomie më miqësore ndaj mjedisit jetësor. Elona Kamberi është emër për të cilin do të dëgjohet në vazhdimësi, një shembull shqiptareje për gjeneratat që vijnë. Shembull për të mësuar prindërit shqiptarë se sa me vlerë është të investosh drejtë në shkollimin e fëmijëve, veçanërisht vajzave.

Box

Përfaqëson Austrinë në Bruksel, në mbledhjet për planin “Green Deal”

Aktualisht zonja Kamberi punon në kabinetin e ministres austriake për Digjitalizim dhe Zhvillim Ekonomik, Margarete Schramböck. Ajo është drejtuese e Task-forcës shtetërore austriake për zbatimin e planit “Green Deal” të Komisionit Evropian dhe përfaqëson Austrinë në të gjitha mbledhjet koordinuese të kësaj fushe në Bruksel.

Box 2

Çfarë i tha ish-kryeministri Schüssel

“Një rast që nuk e harroj, ishte kur erdhi për vizitë ish -kancelari i Austrisë, Wolfgang Schüssel. Më pyeti për kombësi. I tregova se jam shqiptare. Ai tha: ‘E kam ditur se shqiptarët janë shumë inteligjentë, por jo kaq shumë që mund të vijnë për të menaxhuar zyrat tona të ministrisë’. Kjo ishte një nder i madh mua dhe imazhin e shqiptarëve në përgjithësi”. /albinfo/ KultPlus.com

Të ngjajshme