6 Shkurt, 2022 - 1:14 pm
Nga Gjon Keka
Vdekja e Skënderbeut e mbushi Arbërinë dhe Europën në përgjithësi me pasiguri të madhe, sepse shtylla dhe mbrojtësi i saj tanimë nuk ishte më fizikisht në mesin e tyre. Boshllëku i madh që ai la u pa edhe nga klithja e vetë Europës, e cila tanimë kishte humbur mburojën e saj dhe shihte rrezikun e madh turk, i cili përparonte në pushtimet e tij barbare. Por jo vetëm Europa, vdekjen e Skënderbeut e përjetuan thellë në fakt arbërorët, ata të cilët mbetën si delet pa bari, madje atyre nuk u doli më askush në ndihmë që t’i përkrahte në përpjekjet e tyre për ta përballuar tiraninë e sulltanit barbar, i cili, si një përbindësh iu vërsul Arbërisë për ta djegur, shkatërruar dhe derdhur gjakun e pafajshëm arbëror, gjak ky që flet edhe sot si dëshmi e krimeve dhe gjenocidit turk mbi popullin arbëror, ashtu sikurse flet gjaku i Abelit në botë. Në të vërtetë, për arbërorët vdekja e Skënderbeut ishte një humbje tepër e madhe: atyre u kishin humbur sytë, koka dhe dielli, pasi për arbërorët Gjergj Kastrioti ishte dielli, ishte ai që i priu me sigurinë më të madhe popullit në udhën e tij drejt të ardhmes. Vdekja e tij i la ata pa udhëheqësin e urtë vizionar dhe mbrojtësin e madh të tyre, të lirisë dhe pavarësisë së gjithë Arbërisë.[…]
Pas vdekjes së Skënderbeut filloi decentralizimi i jetës politike dhe familjet e mëdha shqiptare dolën përsëri si zotër më vete. Ndërkohë, pozita e Venedikut në Shqipëri u forcua aq shumë, sa edhe Kruja kaloi nën zotërimin e tij. Më 15 maj të vitit 1474, ushtritë osmane rrethuan kështjellën e Rozafës dhe në fillim të qershorit erdhën forca të tjera, me në krye bejlerbeun e Rumelisë, Sinan Pashën. Numri i përgjithshëm i ushtrive osmane arriti deri në 80 mijë veta. Rreth 2 mijë veta (banorë të qytetit të rrethuar, luftëtarë të krahinave të tjera dhe ushtarë të një garnizoni të vogël venedikas), nën drejtimin e Antoni Loredanit, qeveritarit venedikas të Shkodrës, mbronin kështjellën e Rozafës, në të cilën ishin strehuar 1 mijë banorë të paaftë për luftë. Mbrojtësit e kështjellës ndihmoheshin edhe nga luftëtarë që vepronin në rrethinat e saj dhe në vise të tjera më të largëta. Gjatë muajit korrik mbrojtësit e kështjellës zmbrapsën me heroizëm sulmet e njëpasnjëshme të trupave osmane.
Në fillim të gushtit, pasi lanë me mijëra të vrarë në fushën e luftës, ushtritë osmane filluan të largoheshin nga tokat e lira shqiptare. Ndërkaq, nuk zgjati shumë dhe filloi edhe eksodi i arbërorëve, duke mos qenë më në gjendje për ta duruar dhunën sistematike, masakrat, shkatërrimet e tempujve fetarë dhe edukativo-arsimorë, djegien e vendit dhe rrënimin e tij, imponimet e plot mynxyra të tjera. Prandaj, duke dashur që ta ruajnë identitetin arbëror, traditën dhe besimin e tyre, shumica e tyre mori udhën drejt Italisë për ta shpëtuar shpirtin dhe trupin nga tirania e pushtuesit turk. Gjatë periudhës së luftës së shqiptarëve kundër pushtimit otoman, për shkak të dhunës, të shkatërrimeve dhe për të mos iu nënshtruar sundimit të huaj, në jetën shqiptare u shfaq dukuria e braktisjes masive të vendit. Masakrat e pushtuesve otomanë bënë që emigracioni të përfshinte të gjitha shtresat shoqërore. Shqiptarët emigruan kryesisht në Itali. Valët më të fuqishme të emigracionit të shqiptarëve gjatë kësaj periudhe ishin në fund të shekullit XIV, gjatë pushtimeve të para otomane, më 1415-1417, gjatë pushtimit të disa kështjellave të viseve bregdetare, më 1466-1467, gjatë Rrethimit të Dytë dhe të Tretë të Krujës, pas vdekjes së Skënderbeut (1468), pas rënies së Krujës, të Shkodrës (1478-1479) etj. Në mënyrë masive emigruan edhe nga vendbanimet e tyre të Moresë (Peloponezit), si gjatë atyre viteve ashtu edhe më pas.
Emigrantë të shumtë shqiptarë u vendosën në të gjitha viset bregdetare lindore të Gadishullit Apenin, në rajonet e Venedikut e deri në pjesën më jugore të tij. Numri i tyre arrinte në rreth 200 mijë veta. Shumica e tyre u vendosën në Mbretërinë e Napolit dhe rreth 100 mijë veta në krahinat e Kalabrisë e të Sicilisë ku, duke qenë një masë kompakte e ruajtën deri në ditët tona identitetin e tyre dhe ndjenjën e krenarisë kombëtare për ngjarjet e lavdishme të shekullit XV dhe bëmat heroike të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
Valët e kësaj shpërnguljeje eksodi përfshinë edhe njerëzit e kulturës, si Marin Barleti, Marin Beçikemi, Dhimitër Frangu e shumë të tjerë, të cilët me veprimtarinë e tyre dhanë një ndihmesë të shquar në kulturën shqiptare dhe Italiane të kohës. Disa javë pas humbjes së tij, e shoqja, Donika, dhe i biri Gjoni, u përfshinë në eksodin e madh shqiptar dhe u vendosën në pronat që kishin në Itali. Humbja e Skënderbeut, e këtij gjeniu, i hoqi botës shqiptare udhëheqësin e jashtëzakonshëm, personalitetin më të lavdishëm të historisë kombëtare që kishte ndikuar fuqishëm në tërë veprimtarinë politike të vendit. Gjer më sot është thënë dhe shkruar se Donika dhe Gjoni janë larguar nga Arbëria vetëm me një anije që kishte ardhur nga Italia për t’i marrë ata dhe për t’i vendosur në vendet që kishte pasur Skënderbeu, sipas një marrëveshjeje të mëparshme me Mbretin e Napolit. Mirëpo, sipas një dokument historik, thuhet se bashkëshortja Donika dhe biri i tij Gjon Kastrioti u larguan me anije bashkë me një të afërmin e tyre, i njohur si Bernard Kastrioti.
Duhet ditur se nuk ishin arbërorët e parë ata që shkelnin në tokat napolitane dhe të tjera brenda Italisë, pasi dihet që në kohën e Mbretit Pirro,disa epirotë që e shoqëronin atë në beteja kishin zënë vend atje në atë kohë, ose një pjesë që kishte shkuar me të kishin mbetur aty; dhe që nga ajo kohë epirotët apo arbërorët kanë zënë vend në Itali. Kështu që elementi etnik arbëror në Itali ekziston qysh nga koha e Pirros dhe më pas e Skënderbeut. Por, pas vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe përpjekjeve të arbërorëve për t’u rezistuar edhe më tutje barbarëve otomanë, pas disa viteve Arbëria u pushtuar, u dogj, populli u masakruar, u bë gjenocid i paparë në historinë e njerëzimit. Ata që nuk pranuan kushtet e sulltanit kishin dy zgjidhje: ose pranimin, ose vdekjen në mënyrë të pamëshirshme. Ndërsa një pjesë e popullit, e cila ende nuk kishte rënë në duart e sulltanëve demonë e tiranë, duke parë e dëgjuar këto masakra ndaj popullatës vendosnin të largoheshin në vendet të ndryshme, vetëm për ta ruajtur identitetin dhe traditën e lashtë arbërore europiane.[*Shkëputur nga libri:”Autoriteti dhe fama e Skënderbeut”,Autor Gjon Keka, Lena Grafik, Prishtinë ,2019]. /KultPlus.com