27 Shtator, 2020 - 11:02 am
E ftuar në emisionin ‘Historia ime’ në Tv Klan, Emina Cunmulaj ka rrëfyer historinë e jetës së saj duke nisur nga fëmijëria që ka kaluar në Mal të Zi.
Ajo ka lindur në Michigan dhe kur ishte 5 vjeçe, prindërit e saj u kthyen në Mal të Zi, në një fshat të vogël malazez buzë Liqenit të Shkodrës,që quhet Nënelm.
Deri në moshën 15 vjeç ajo ka kullotur lopët dhe i ka mjelë ato sepse e gjente si arsye për të mos u martuar. Sipas saj vajzat që bënin punë shtëpie dhe dinin të gatuanin, martoheshin shumë shpejt dhe ajo merrej me punë vetëm jashtë shtëpisë, të mos dinte të pastronte dhe gatuante që të shtynte sa më shumë martesën.
Mirela Milori: Ju u vendosët të gjithë në Nënelm, sa vite qëndrove aty?
Emina Cunmulaj: Unë u largova sërish nga fshati në moshën 15 vjeç.
Mirela Milori: Si ka qenë jeta në këtë fshat?
Emina Cunmulaj: Në përgjithësi mirë, përpiqem t’ia vë fokusin gjërave pozitive. Një fëmijëri shumë e thjeshtë. Sa herë që vij vizitoj disa familje në nevojë dhe i shoh këta fëmijë që po jetojnë të njëjtën jetë që kam jetuar dhe unë. Unë kam mjelë lopët, i ka çuar në livadhe, i kam sjellë prapë lopët në shtëpi. Nuk doja të bëja punët e shtëpisë brenda sepse vajza në atë kohë martohej që 14 vjeç dhe i thoja vetes nëse nuk i bëj gjërat, nuk e bëj gatimin, pastrimin, ndoshta nuk do më martonin tepër herët. Kështu pothuajse ka kaluar fëmijëria. Nuk kemi patur shumë lodra, kemi luajtur më shumë me llaç e baltë.
Janë disa gjëra që kanë ndodhur jo shumë të bukura. Gjatë luftës në Bosnjë-Hercegovinë ka qenë një kohë më e vështirë, pastaj lufta e Kosovës ka qenë edhe më e vështirë sepse ne kemi qenë në fund të Malit të Zi, tek liqeni i Shkodrës dhe kanë kaluar shumë refugjatë në atë kohë që duart e mamit tim i kanë dhënë bukë më hëngër, rrobat tona ia kanë veshur atyre. / KultPlus.com