19 Mars, 2025 - 12:04 pm
Anëtarët e redaksisë vendore e redaktorët përgjegjës për projektin madhor “Enciklopedia shqiptare” zhvilluan dy takime për ecurinë e punës.
Mbledhja e parë u drejtua nga kryeredaktori i “Enciklopedisë shqiptare” akad. Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, dhe drejtori i Botimeve Enciklopedike dhe Albanologjike dr. Arian Leka.
Akad. Gjinushi, falënderoi redaktorët përgjegjës dhe vlerësoi punën e bërë nga anëtarët e redaksisë vendore për koordinimin me redaksitë, duke theksuar se me fjalësin e njësuar të të gjitha fushave, kemi një panoramë më të plotë mbi lëndën enciklopedike. Ai tha se fjalësi është njësuar dhe pas përfundimit të punës, raportet e përfaqësimit midis trashëgimisë në Shqipëri, Kosovë e në pjesë të tjera të hapësirës historike-kulturore shqiptare janë respektuar. Në vëmendje për këto redaksi duhet mbajttur edhe çështja e karakterit formal e teknik, që disa nga njësitë themelore të shkruhen në rend të drejtë dhe të shmangen përfundimisht mbivendosjet.
Tashmë puna në vijim mbetet tek mënyra e kategorizimit dhe e paraqitjes së artikujve në “Enciklopedinë shqiptare”.
Qëllimi i këtij takimi ishte parapërgatitja për mbledhjen mes redaksive vendore Shqipëri-Kosovë, që do të mbahet më 25-26 mars 2025, në Vërmicë (Prizren).
Më pas u zhvillua takimi me anëtarët e redaksisë vendore e redaktorët përgjegjës të fushave: energjitë dhe energjetika; industritë dhe teknologjitë, ku ishin të pranishëm redaktorët përgjegjës, përkatësisht prof. dr. Aleksandër Xhuvani, akad. Rajmonda Buhaljoti dhe prof.dr. Andrea Maliqari.
Akad. Buhaljoti raportoi se është koordinuar me redaksitë e Kosovës e Maqedonisë për veçimin e zërave, harmonizimin e fjalësit të bashkuar. Ajo tha se puna me zërat ka përfunduar dhe është plotësuar lista e personaliteteve sipas kritereve të dakordësuara./atsh/KultPlus.com