26 Dhjetor, 2024 - 8:00 pm
Qendra e Botimeve Enciklopedike Albanologjike (QBEA), në bashkëpunim me redaksitë vendore Tiranë-Prishtinë, organizoi takimet e dakordësuara mes drejtuesve të redaksive vendore gjegjëse dhe redaktorëve përgjegjës të disa redaksive.
Këto takime, me redaksitë e 8 grupeve të fushave, ishin pjesë e fazës përmbyllëse për finalizimin e punës me Fjalësin e bashkuar.
Në këto takime morën pjesë 32 përfaqësues të redaksive vendore, drejtuesit e redaksive dhe, aty ku ishte e nevojshme, morën pjesë edhe disa prej anëtarëve të redaksive të fushave (redaksia Mesjeta, Bizanti, Periudha osmane dhe Rilindja; redaksia e Arteve Skenike, Pamore dhe Multimediale) apo anëtarë të redaksisë vendore (Lashtësia).
Raundi i parë i këtyre takimeve bëri bashkë për 3 ditë, 8 redaksi, të cilat kishin ende problematika dhe çështje për të dakordësuar mes tyre.
Takimet u drejtuan nga akademiku Mehmet Kraja, njëherazi drejtues i redaksisë vendore Prishtinë, dhe zëvendëskryeredaktor i projektit Enciklopedia shqiptare, akad. Vasil Tole dhe dr. Arian Leka, drejtues i QBEA-së dhe anëtar i redaksisë vendore Tiranë.
Në fund u dhanë udhëzimet përkatëse që të gjitha redaksitë të plotësojnë me shënime sqaruese artikujt e propozuar, aty ku artikulli shfaqet jo i plotë, duke dhënë shpjegime mbi argumentin se çfarë përfaqëson artikulli i propozuar pse duhet të jetë artikull më vete apo përmbledhës në enciklopedi.
U dakordësua në parim që të ketë një tjetër raund takimesh në janar për redaksitë e Gjuhësisë/Albanologji, Arsimimit, Sistemet politike, Historisë ushtarake, Ekonomisë, disa redaksi të shkencave natyrore dhe shkencave ekzakte, përfshi këtu saktësimet përfundimtare re propozimet e ardhura nga redaksia e posaçme e Maqedonisë së Veriut, drejtuar nga prof. Aziz Pollozhani dhe prof. Valbona Toska.
U vendos që afati i dorëzimit të Fjalësit të jetë jo më vonë se 15 janari 2025. Versioni i Fjalësit të dorëzuar të jetë përfundimtar: i konverguar, i integruar dhe i njësuar.
Hartimi i “Enciklopedisë shqiptare” është një projekt i përbashkët i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, i mbështetur dhe bashkëfinancuar nga qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës. Ajo është konceptuar si një tërësi njësish enciklopedike me rreth 300 artikuj të mëdhenj; 2000 artikuj të mesëm; 7000 artikuj të vegjël e rreth 600 artikuj përmbledhës./ KultPlus.com