5 Maj, 2020 - 9:30 am
Sot është një nga lagjet më luksoze të Manhatanit, por në fund të viteve 1800, në “Lower East Side” kushtet e jetesës, sidomos për emigrantët e rinj që mbërrinin në Nju Jork, ishin të mjerueshme.
Në fotot e shpërndara nga “History Channel” tregohet gjendja e tmerrshme e godinave ku detyroheshin të jetonin qytetarët më të rinj të Nju Jorkut, asokohe një prej porteve më të mëdha hyrëse të emigrantëve në Shtetet e Bashkuara.
Apartamentet e projektuar për një familje të vetme, ndaheshin në pjesë më të vogla, për të futur sa më shumë njerëz që të ishte e mundur. Për të përballuar rritjen e numrit të popullsisë, ndërtesat pritëse ndërtoheshin me materiale të lira dhe shumica e godinave nuk kishin as ajrosje, duke bërë që sëmundje të ndryshme të përhapeshin shpejt mes njerëzve që jetonin aty.
Jacob Riis, i cili emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1870, punoi për policinë e qytetit për të zbuluar kushtet e tmerrshme të jetesës mes emigrantëve. Por vetëm përmes fotografive, dëshmia e tij nisi të ngjallte reagim.
Në vitin 1890, Riis përmblodhi të gjitha fotografitë në një libër të quajtur “Si jeton gjysma tjetër”. Vepra e tij tërhoqi vëmendjen e Theodore Roosevelt, në atë kohë shefi i Policisë së Nju Jorkut, duke e frymëzuar për të punuar për përmirësimin e kushteve të jetesës së emigrantëve dhe banorëve të lagjeve të varfra. /KultPlus.com