23 Maj, 2024 - 6:22 pm
Është prezantuar projekti ku tregon se si do të duket shtëpia e re e SOS fshatrave të fëmijëve, përcjell KultPlus.
Përmes një postimi në Facebook, faqja zyrtare e Sos Fshatrave të Fëmijëve njofton se kjo punë është bërë në formë vullnetare nga arkitekti Jeton Blakaj dhe ekipi i tij, Suad Ismaili, Richardi, Reutrimi, Albina dhe Gurakuqi.
Në vijim KultPlus ua sjell njoftimin e plotë:
Një ëndërr që merr formë, një shtëpi pushimi për fëmijët tanë!
Siç e dini, para ca kohësh, miku ynë i çmuar, Artan Hasani na dhuroi një copëz të vogël parajse – një parcelë toke ku ëndërronim të ndërtonim një shtëpi pushimi për fëmijët tanë.
Por çdo ëndërr e madhe ka nevojë për mbështetje, për duar të zgjatura dhe zemra të hapura. Dhe ja ku ndodhi mrekullia! Sapo publikuam lajmin për dhuratën e Artanit dhe planin tonë për shtëpinë e pushimit, një arkitekt i talentuar kosovar, Jeton H. Blakaj i cili jeton në Vjenë , na kontaktoi. Pa asnjë hezitim, ai dhe kompania e tij db spaces morën përsipër të projektojnë falas shtëpinë e ëndrrave për fëmijët tanë!
Dhe sot duam t’ju prezantojmë projektin që Jetoni dhe ekipi i tij i mrekullueshëm, Suad Ismaili , Richardi, Leutrimi, Albina dhe Gurakuqi, krijuan me aq dashuri dhe përkushtim. Orë të tëra pune, zemër e shpirt të derdhur në çdo detaj, për të krijuar një vend ku fëmijët tanë do të ndjehen të dashur, të sigurt dhe të lumtur.
Falë Jetonit dhe ekipit të tij, plani është gati! Tani na duhet ndihma e miqve tanë, që dhurimin e Artanit, vizionin e Jetonit dhe db spaces, ta bëjmë realitet.
Ndihmoni të ndërtojmë një shtëpi ku ëndrrat çelin, ku kujtimet krijohen dhe ku fëmijët tanë ndjejnë dashurinë dhe përkrahjen që meritojnë.
Faleminderit nga zemra për mbështetjen tuaj të vazhdueshme!/KultPlus.com