2 Shkurt, 2025 - 5:00 pm
Shoqëria “X ONE” SH.P.K. ka shprehur interesin dhe ka paraqitur pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, aplikimin për ndërtimin e një impianti fotovoltaik me kapacitet të instaluar 54 MW, për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme.
Sipas njoftimit të MIE-s, impianti nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse.
Aplikimi parashikon ndërtimin e tij në fshatin “Teman”, në bashkinë Poliçan, Berat.
Pranë ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës gjatë vitit 2024 ka fluks kërkesash për të investuar në impiante fotovoltaikë.
Klima e Shqipërisë ofron rreth 2400 orë diell në vit dhe një mesatare prej 240-300 ditë me diell, si dhe me fuqi ere të konsiderueshme në bregdet.
Për të nxitur zhvillimin e këtij sektori, qeveria ka ndërmarrë edhe politika lehtësuese, siç është konkretisht përjashtimi nga tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) i të gjitha makinerive dhe pajisjeve që do të përdoren për ndërtimin e projekteve të prodhimit të energjisë nga dielli dhe era, për investime që arrijnë vlerën 50 milionë lekë e sipër.
Sipas të dhënave zyrtare, rreth 6% e energjisë totale në vend u prodhua nga centralet diellore që tashmë janë në prodhim. Peshën më të madhe e mban Centrali i Karavastasë, që ka prodhuar mbi 50% të energjisë totale diellore./ KultPlus.com