2 Tetor, 2019 - 10:48 pm
Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) ka marrë vendim që ta përjashtojë Agjencinë e Kosovës për Akreditim (AKA).
Agjencia e Kosovës për Akreditim ishte bërë pjesë e ENQA-s në vitin 2014 si anëtare me të drejtë të plota për një periudhë 5 vjeçare. Vitin e kaluar ENQA ia zbriti statusin Agjencisë nga anëtare me të drejta të plota në anëtare nën shqyrtim për shkak të ndërhyrjeve politike në këtë institucion.
Kjo pasi, në shtator të vitit 2017, ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi me kërkesë të kryeministrit, Ramush Haradinaj e shkarkoi bordin e Agjencisë dhe ushtruesen e detyrës së drejtorit të këtij institucioni.
Për shkak të kësaj ndërhyrjeje, edhe Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) e përjashtoi Agjencinë me arsyetimin se e ka humbur autonominë.
Agjencia e Kosovës për Akreditim, muaj më parë ishte futur në proces të vlerësimit në ENQA.
Presidenti i ENQA-s, Christoph Grolimund, përmes një letre që ia ka dërguar Agjencisë, ka treguar për arsyet e këtij vendimi të bordit të ENQA-s për fatin e AKA-s, vendim që është marrë më 19 shtator.
Në letrën që e posedon “Koha Ditore”, thuhet se bordi i ENQA-s ka ardhur në përfundim se niveli i përgjithshëm i pajtueshmërisë me Standardet dhe udhëzimet për sigurimin e cilësisë në Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë (ESG) nuk është i mjaftueshëm për të përmirësuar anëtarësimin e Agjencisë në këtë fazë. /Koha ditore /KultPlus.com