6 Tetor, 2020 - 6:14 pm
Morfologjia e profesorit Shaban Demiraj është cilësuar si një nga tekstet më të plota dhe më të gjera në strukturën morfologjike të gjuhës shqipe, që ka shërbyer për formimin gjuhësor të një numri të madh arsimtaresh, shkruan KultPlus.
Nëpërmjet një postimi në Facebook ka publikuar një pjesë të kumtimit të profesorit, Enver Hysa në Konferencën Shkencore për nder të Shaban Demirajt.
Ndër të tjera në postim është bërë e ditur se Hysa ka thënë se botimi i Shaban Demiraj qëndron në themelet e veprës së re kolektive.
Më poshtë mund të lexoni statusin e tyre të plotë:
Pas Gramatikës së Kostaq Cipos, Morfologjia e prof. Shaban Demirajt është teksti më i plotë, më i gjerë e më sintetik për strukturën morfologjike të shqipes, i cili jo vetëm ka shërbyer për vite me radhë për formimin gjuhësor të një armate të madhe arsimtarësh e studiuesish të ardhshëm, ndër të cilët edhe autorin e këtyre radhëve e të brezit të tij, por, nga ana tjetër, mund të thuhet me plot gojën se ky botim qëndron edhe në themel të veprës së re kolektive Gramatika e gjuhës shqipe, 1. Morfologjia, e cila arriti të botohej për herë të parë më 1976 dhe pastaj e ripunuar më 1995 dhe 2002, citoi, mes të tjerash, në fjalën e tij prof. Enver Hysa.
Më poshtë, pjesë nga kumtesa e prof.dr. Enver Hysës, mbajtur në Konferencën Shkencore in honorem – Vepra e Shaban Demirajt për historinë e gjuhës dhe prejardhjen e shqiptarëve, 30 shtator 2020.
GJUHA E SOTME SHQIPE NË OPTIKËN SHKENCORE
TË PROF. SHABAN DEMIRAJT
Emri dhe vepra e prof. Shaban Demirajt është e lidhur ngushtë dhe me një fushë të gjerë e të rëndësishme studimesh, siç është ajo e morfologjisë së sotme dhe e kulturës së gjuhës. Në këtë fushë profesori ynë i nderuar ka hartuar e drejtuar jo vetëm vepra të rëndësishme sintetizuese, siç është vepra kolektive “Gramatika e gjuhës shqipe, II, Morfologjia” në të cilën prof. Demiraj ishte redaktor shkencor i saj dhe hartues i dy krerëve të rëndësishëm, por dhe veprën e tij “Morfologjia e gjuhës së sotme shqipe”, botuar në fillim në Tiranë më 1961 si dispensë në dy pjesë, pastaj dhe si libër në shtyp të lartë në Prishtinë më 1971, për nevojat e arsimit tonë të lartë, si dhe tekste për shkollat e mesme të mësuesisë. Do të thosha se pas Gramatikës së K. Cipos, Morfologjia e prof. Sh. Demirajt është teksti më i plotë, më i gjerë e më sintetik për strukturën morfologjike të shqipes, i cili jo vetëm ka shërbyer për vite me radhë për formimin gjuhësor të një armate të madhe arsimtarësh e studiuesish të ardhshëm, ndër të cilët edhe autorin e këtyre radhëve e të brezit të tij, por, nga ana tjetër, mund të thuhet me plot gojën se ky botim qëndron edhe në themel të veprës së re kolektive Gramatika e gjuhës shqipe,1. Morfologjia, e cila arriti të botohej për herë të parë më 1976 dhe pastaj e ripunuar më 1995 dhe 2002. Prof. Shabani, që në periudhën e parë të veprimtarisë së tij të gjatë, ka qenë për disa vite dhe pedagog që ligjëroi, përveç morfologjisë së sotme, dhe disiplinat gjuhësore leksikologji e fonetikë e gjuhës shqipe dhe histori e gjuhës së shkruar, për të cilat hartoi për nevojat e studentëve dhe tekstet përkatëse të cilat kanë shërbyer për një kohë relativisht të gjatë në sistemin universitar.
Dua të vë në dukje këtu se që me krijimin e Universitetit të Tiranës nisi puna dhe për hartimin e teksteve të para gjuhësore për shkollën e lartë, ku spikat ndër të tjera dhe botimi i tekstit Morfologjia e gjuhës së sotme shqipe në dy pjesë (1960, 1961). Ky tekst, ashtu si dhe tekstet e sintaksës të hartuara nga Stefan Prifti (1959, 1960) dhe Mahir Domi (1969), dallohet për analizën e një materiali të gjerë faktik, për përshkrimin dhe analizën e shumë çështjeve, problemeve e dukurive, të cilat më parë ose ishin fusha djerr ose vetëm sa ishin prekur. Si të tilla mund të përmendja këtu dallimin për herë të parë në gjuhësinë shqiptare të kategorisë së pjesëzave si klasë e veçantë fjalësh, vështrimi i pjesëve të ligjëratës si kategori leksiko-gramatikore duke u shqyrtuar ato si në planin e shprehjes dhe në atë të përmbajtjes etj. Teksti luajti nga ana tjetër dhe një rol në aspektin e kodifikimit të mëtejshëm të shqipes letrare, duke përcaktuar më mirë disa forma gramatikore si forma normative në sistemin foljor dhe emëror. Ky tekst i nivelit universitar dhe mjaft gramatika të tjera të hartuara për nevoja të arsimit parauniversitar, të cilat kishin patjetër si pjesë përbërëse të nënkuptuar dhe vokacionin pedagogjik, ishin një etapë e rëndësishme në realizimet e gjuhësisë shqiptare; por, me krijimin e kushteve e mundësive të reja, para gjuhësisë shqiptare shtrohej detyra e hartimi të një gramatike universitare dhe akademike. Kjo punë kishte nisur në Institutin e Gjuhësisë me krijimin e një baze teknike të dhënash, si do të ishte Kartoteka e gramatikës së shqipes, si dhe me ndërmarrjen e një vargu studimesh monografike për strukturën morfologjike dhe sintaksore të shqipe. Kështu në fushën e morfologjisë objekt studimesh monografike, artikujsh e kërkimesh u bë ndriçimi në shumë drejtime i sistemit emëror, në kuptimin më të gjerë të termit, dhe i sistemit foljor, si dy shtyllat themelore të strukturës morfologjike të shqipes, por edhe i pjesëve të pandryshueshme. Në këto studime janë diskutuar dhe mjaft çështje të karakterit teorik, duke u kushtuar vëmendje të veçantë strukturave të gjuhës së gjallë, materialeve që jep vetë gjuha shqipe e stileve të ndryshme dhe është synuar të shqyrtohet e të vihet në dukje kompleksiteti i faktorëve që veprojnë në ligjërim. Përfundimet e rëndësishme të arritura në këto studime janë përgjithësuar e pasqyruar në veprën e rëndësishme të gjuhësisë shqiptare Gramatika e gjuhës shqipe, 1. Morfologjia, (1976, 1995, 2002, vepër që u drejtua nga gramatikanët tanë të njohur, prof. M. Domi dhe prof. Sh. Demiraj.
Në këtë vepër, e para e këtij lloji në gjuhën shqipe, si thuhet në parathënien e saj, “përshkruhet dhe shpjegohet struktura gramatikore e shqipes së sotme, kryesisht e periudhës pas formimit të shtetit të pavarur shqiptar, duke u mbështetur në një lëndë gjuhësore të vjelë posaçërisht nga letërsia artistike, shkencore dhe nga publicistika e kësaj periudhe” . Kjo ishte gramatika më e plotë që ishte hartuar deri në atë periudhë për gjuhën shqipe. Vepra dallohet për karakterin informues e formues për shkak të destinacionit të saj, për karakterin normativ dhe për përfshirjen e mjeteve gramatikore në një plan shumë të gjerë sa më të thelluar e si sistem tërësor, ku elementet përbërëse janë në lidhje e vartësi të ndërsjellë.
Puna për hartimin e këtij vëllimi (Morfologjisë), nën drejtimin e prof. Sh. Demiraj, që kishte mbledhur rreth vetes studiues me përvojë e më të rinj, ish-studentë të tij, ka qenë një shkollë e vërtetë në radhë të parë për ne më të rinjtë. Prof. Shabani, si është thënë, diti të krijojë një frymë bashkëpunimi kolegjial në këtë grup dhe t’i zgjidhë me mirëkuptim e me arsyetim shkencor problemet e diskutueshme që na dilnin.
Përveç punës së tij shumë të çmuar si drejtues shkencor i kësaj vepre të rëndësishme të gjuhësisë shqiptare dhe si bashkautor i dy krerëve qendrorë të kësaj vepre sintetizuese (Folja dhe kreu hyrës teorik), prof. Shabani është përqendruar me vëmendjen e duhur dhe në shumë studime edhe të karakterit teorik për disa kategori gramatikore si të klasës së emrave dhe në atë të foljeve. Prandaj nuk mund të mos vihet në dukje se emri i prof. Shaban Demirajt është i lidhur dhe me studimet për disa çështje problemore të strukturës morfologjike të shqipes së sotme si në fushën e emrave dhe në atë të foljeve, siç janë probleme të kategorisë së shquarsisë e të pashquarsisë, mënyrat dhe kohët e foljeve, përdorimet e kuptimet e kohëve foljore, ndajfoljezimi i disa formave gramatikore, klasifikimi i foljeve në zgjedhime, format e së ardhmes në gjuhën shqipe, rreth kategorisë së masës në gjuhën shqipe, rimarrja e kundrinave etj., sa për të përmendur vetëm disa nga çështjet e morfologjisë së sotme me të cilat është marrë prof. Shabani./ KultPlus.com
https://www.facebook.com/akademiaeshkencave/posts/3287320831303070