17 Mars, 2023 - 2:57 pm
Senati i Universitetit të Prishtinës ka marrë vendim për ndarjen e titullit “Profesor Emeritus” për Enver Petrovcin, mësimdhënës i rregullt në Fakultetin e Arteve të UP-së.
Organi më i lartë akademik i UP-së ka aprovuar kërkesën e Këshillit të Fakultetit të Arteve, të mbështetur nga Këshilli i Fakultetit Filozofik dhe i atij Ekonomik, me ç’rast i ka caktuar titullin në fjalë profesorit Petrovci, transmeton Klan Kosova.
Dorëzimin e titullit “Profesor Emeritus” profesorit Petrovci ia dorëzoi rektori Qerimi, në një ceremoni simbolike të organizuar në dekanatin e Fakultetit të Arteve.
“Është hera e parë që nga ky pozicion po e dhuroj një titull kaq të veçantë honorifik, sikurse është profesori emeritus. Njëherësh, është hera e parë që një titull i tillë i caktohet një mësimdhënësi në Fakultetin e Arteve. Ka shumë gjera që në jetë dhe në profesion zëvendësohen, por themeluesi është i pazëvendësueshëm”, tha rektori, teksa i prezantoi titullin profesorit Petrovci, i cili ishte ndër aktorët e parë që iu bashkua nismës së udhëhequr nga profesor Faruk Begolli, për hapjen e Katedrës së Aktrimit në Fakultetin e Arteve, para tri dekadash.
I nderuar me pranimin e këtij titulli u shpreh profesori Petrovci. Duke i falënderuar kolegët për iniciativën dhe rektorin për ndarjen e titullit, ai tha se këtë titull e pranon në emër të tij, por edhe të profesorit Begolli.
Titulli “Profesor Emeritus” iu dorëzua me motivacionin: “Për kontributin dhe përkushtimin shumëvjeçar dhënë në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, për avancimin e vlerave akademike dhe krijimin e kuadrove të reja në artet skenike”.
Fakulteti i Arteve, duke e nderuar profesorin Petrovci, e vlerëson të kaluarën e çmuar të tij në këtë institucion.