9 Prill, 2022 - 1:03 pm
Trashëgimia etnografike konsiderohet njëzëri si një nga pasuritë më të vyera të kulturës shqiptare. Artistja Egla Memaj solli përmes ekspozitës “Epitaf”, të çelur në galerinë FAB, pranë Universitetit të Arteve, punime të qëndisura ku pasqyrohen vlerat etnografike.
Në ekspozitën e saj personale artistja Egla Memaj ka përzgjedhur si subjekt “Epitafin i Gllavenicës”, një ikonë e qëndisur dhe arritje kulmore e traditës etnografike mesjetare. E zbërthyer figurativisht në 27 vepra të reja, “Epitafi i Eglës” endur kryesisht në fill të artë, na fton në një përftim të ri mbi këtë kryevepër të trashëgimisë sonë kulturore.
Studiuesi Ermir Hoxha theksoi se “gjithë ekspozita është një tribut ndaj vlerave etnografike, një thirrje për rivlerësimin e asaj pasurie të shquar liturgjike, por dhe një dialog me të shkuarën, si ftesë për të mos harruar”.
Për studiuesin Hoxha, trashëgimia etnografike konsiderohet njëzëri si një nga pasuritë më të vyera të kulturës shqiptare.
E zhvilluar në shekuj, sipas funksionit ajo mund të grupohet si punime artistike shtëpiake për nevoja të përditshme dhe zejtari artistike e realizuar në format profesional nga mjeshtër e zanatçinj popullorë. Studiuesi Ermir Hoxha thotë se krijimtaria e artistes Egla Memaj propozohet si sintezë e këtyre dy qëndrimeve. “Si e tillë, ajo mbart dhe dashurinë e punimeve vetjake mbrujtur në ngrohtësinë e ambienteve familjare dhe nivelin e lartë profesional të mjeshtërve zanatçinj, konsoliduar në shekuj”, shprehet Hoxha.
“Epitafi i Gllavenicës” është realizuar në vitin 1373. I gjendur në bazilikën e Shën Mërisë në Ballsh, ai paraqet figurën e Krishtit të vdekur, shtrirë mbi një çarçaf dhe rrethuar nga shenjtorë, serafinë e engjëj. Me përmasa 212 x 114 cm, në këtë “ikonë të qëndisur” me fije tekstile dallohen katër ngjyra bazë: e kuqe, blu, jeshile dhe e verdhë, të shoqëruara me nuancat përkatëse. Epitafi është një nga objektet më të rëndësishme që trashëgon Shqipëria nga Mesjeta; një brilant historie e teknologjie.
Ekspozita “Epitaf” do të qëndrojë deri më 17 prill në galerinë FAB, pranë Universitetit të Arteve. Kjo është ekspozita e dytë e çelur nga Memaj pas asaj të parë në vitin 2018, “Psalm”, ku përcolli me kërshëri për publikun një dashuri të harruar, atë për qëndistarinë, përthyer mbi subjekte të përzgjedhura të trashëgimisë kulturore shqiptare./atsh/ KultPlus.com