Era Syla fiton medalje të argjendtë në Olimpiadën Matematike Evropiane për Vajza

15 Prill, 2021 - 3:57 pm

EGMO (European Girls’ Mathematical Olympiad) është garë e formatit të ngjashëm me Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës dhe konsiderohet gara më e rëndësishme evropiane e matematikës për vajza, në të cilën marrin pjesë pothuajse të gjitha shtetet e Evropës, të përfaqësuara nga nxënëset më të mira të matematikës.

Për Kosovën kjo ishte pjesëmarrja e dytë me radhë, pas asaj të vitit të kaluar kur po e njëjta atomiste, Era Syla fitoi Medalje të Bronztë.

Ky sukses i jashtëzakonshëm i Erës para së gjithash është rezultat i potencialit të saj intelektual, i talentit të saj për matematikë dhe i punës së saj të palodhshme. Veç këtyre, ky sukses i Erës do të ishte shumë më i vështirë pa përkrahjen dhe investimin e vazhdueshëm të familjes, shkollës, mësimdhënësve, individëve e organizatave të ndryshme profesionale.

Instituti ATOMI përmes një statusi në facebook, ka shprehur mirënjohje dhe falënderim për të gjithë ata që kanë kontribuuar në realizimin e potencialit të Erës dhe në arritjen e këtij suksesi të jashtëzakonshëm nga ana e saj!.

“Me këtë rast një falënderim i takon Valmir Krasniqit, i cili në vazhdimësi ka përkrahur profesionalisht Erën, qoftë në kuadër të Institutit ATOMI por edhe në kuadër të Garës Ndërkombëtare të Matematikës “Kangaroo”, në të cilën Era për 3 vite radhazi ka qenë në mesin e nxënësve që kanë arritur rezultatet më të larta në Kosovë”, shkruan nga Instituti ATOMI.

Vlen të theksohet se përgatitja e ekipit të Kosovës, pjesëmarrës në EGMO 2021, është përkrahur financiarisht e jofinanciarisht nga Instituti ATOMI, përmes sponsorizimit nga kompania Alb-Architect. / KultPlus.com

Të ngjajshme