19 Maj, 2020 - 11:30 am
Shqipëria është e rrethuar me bukuri të shumta natyrore që për shumëkënd mbesin mahnitëse dhe të paharruara.
Vizitorë nga e gjithë bota tashmë e kanë destinacion të preferuar Shqipërinë.
Ben Washburn është një djalë i ri i cili ka ardhur nga Amerika para disa muajsh dhe tani jeton në Shqipëri me të dashurën e tij shqiptare. Historinë e tij ai e ka ndarë për fushatën #IntoAlbaniaTravelsInTimai e të cilën se po ju sjellim më poshtë:
“Në Shqipëri erdha për herë të parë në 2017-ën, pasi takova të dashurën time, e cila është shqiptare, në Universitetin e Oksfordit. Si Amerikan, nuk dija shumë mbi Shqipërinë në atë kohë. Gjatë udhëtimit dy javor, u mahnita me kulturën, njerëzit, peizazhet dhe ushqimin shqiptar. Nga të gjitha udhëtimet tona në Shqipëri, Thethi është ai që më ka mbetur më shumë në mendje. Kujtoj si i jepja makinës në rrugë shkëmbore e të paasfaltuara me orë të tëra, njëkohësisht i përpirë̈ nga peizazhi dhe i mbërthyer nga një adrenaline e fortë. Alpet e Shqipërisë janë marramendëse. Ecëm gjatë për të arritur tek Syri i Kaltër, ku notova dhe u hodha për zhytje nga shkëmbi. Qëndruam në një bujtinë mikpritëse e shijuam bukën e freskët, kafen turke, djathin e bërë vetë dhe perimet e mëngjesit.
Kam udhëtuar shumë në jetë, por Thethi është pa dyshim vendi më paqësor që kam përjetuar ndonjëherë. Megjithatë, Thethi mbetet një nga shumë vende të bukura që kam parë në Shqipëri. Atëherë, nuk mendoja se pas tre vjetësh ky vend i pabesueshëm do të ishte shtëpia ime e re. Jam shumë mirënjohës që është. 🇦🇱”, ka thënë Ben Washburn.” / KultPlus.com