Erdogan paralajmëron ndërtimin e 500 shtëpive në Shqipëri

29 Nëntor, 2019 - 2:22 pm

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka thënë se “ekipet e Turqisë do të kryejnë punimet në vendet e përshtatshme në Shqipëri dhe si vëllezër turq do të ndërtojnë 500 njësi banimi”.

Ndryshe, presidenti turk kishte thënë se kishte zhvilluar dy biseda telefonike me kryeministrin shqiptar Edi Rama më 26 nëntor, pasi dëgjoi për tërmetin, për të ofruar ngushëllimet e tij.

Si rezultat, siç thuhet tutje, përcjell Telegrafi, Turqia i ka dërguar menjëherë ndihma Shqipërisë rreth menaxhimit të fatkeqësisë dhe emergjencave.

“Si një vend, i cili vuajti nga tërmete të mëdha në të kaluarën, ne e kuptojmë dhimbjen e Shqipërisë”, citohet të ketë thënë Erdogan.

“Ne të gjithë duhet të qëndrojmë me Shqipërinë kur bëhet fjalë për trajtimin mjekësor të të dëmtuarve ose sigurimin e strehimoreve për ata që kanë humbur shtëpitë e tyre”, kishte shtuar ai.

Në orët e hershme të mëngjesit të së martës, dy tërmete të fuqishme goditën Shqipërinë.

Tërmeti i parë është regjistruar në orën 04:00 me shkallë të Rihterit 6.4 në Durrës, ndërsa i dyti ishte me magnitudë 5.4 shkallë të Rihterit dhe u regjistrua në ora 07:10.

Si pasojë e këtyre tërmeteve, përcjell Telegrafi, numri i viktimave po vazhdon të rritet dhe bëhet e ditur se janë rreth 700 persona të lënduar, si dhe dëme të mëdha materiale. /Telegrafi/ KultPlus.com

Të ngjajshme