Esat Pasha: Mos harroni se shqiptari është krenar, guximtar dhe i lidhur fort me traditat e tij kombëtare

22 Gusht, 2020 - 10:27 am

Nga Aurenc Bebja, Francë – 22 Gusht 2020

“La Liberté” ka botuar, të martën e 6 prillit 1920, në faqen n°3, intervistën e saj me Esat Pashën në lidhje me vendimin e Kongresit të Londrës ndaj Shqipërisë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Fati i Shqipërisë

Një takim me Esat Pashën

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Ne jemi të vetëdijshëm për shërbimet e shkëlqyera që Esat Pasha i bëri Francës gjatë luftës. Ishte mjaft interesante të merrnim mendimin e këtij miku, të djeshëm dhe të sotëm, për çështjen shqetësuese të Shqipërisë, zgjidhja e së cilës, duket se është e menjëhershme.

Esat Pasha ka vështirësi të shprehet në frëngjisht dhe përdor një përkthyes.

“Jo, u përgjigj pyetjes sonë, pushtimi i Shqipërisë nga trupat italiane nuk është përfundimtar dhe nuk fyen në asnjë mënyrë ndjenjat e shtetasve tanë.

Fati i vendit tim është akoma i pavendosur; Kongresi i Londrës po vazhdon në mënyrë aktive punën e tij dhe vendimi i tij nuk do të zgjasë shumë.”

A besoni, gjeneral, se atij do t’i jepet autonomia ?

E shpresoj dhe besoj. Do të bënin një gabim të madh, tepër të madh, nëse nuk respektojnë vullnetin e shqiptarëve; pra, ata duan të jenë të lirë. Nëse pavarësia e tyre nuk do të njihej, paqja e Ballkanit do të rrezikohej seriozisht dhe, për t’u dhënë mendimin tim, do të kishte arsye për t’u frikësuar nga trazira të vazhdueshme. Mos harroni se shqiptari është krenar, guximtar dhe i lidhur fort me traditat e tij kombëtare. Të gjithë personat kompetente në këtë çështje do të jenë njëzëri me mendimin tim.

— Cili do të ishte regjimi (politik) që do t’i përshtatej më mirë ?

Gjenerali bën një gjest. “Kjo, tha ai, është delikate. Gjatë luftës, unë kam qenë Presidenti i Këshillit të Shqipërisë deri në kohën e pushtimit. Aktualisht, vendi është nën kontrollin e Aleatëve.” Gjenerali ndalet. Natyrisht, modestia e tij e ndalon atë që të zhvillojë mendimet e tij. “Le ta lëmë këtë, shton ai. Unë i besoj besnikërisë së Francës dhe pres me padurim vendimet e Kongresit të Londrës : është e mundur që status quo-i i paraluftës të ruhet; vetëm atëherë mund të jap më shumë detaje.” / KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/la-liberte-1920-esat-pasha-mos-harroni-se-shqiptari-eshte-krenar-guximtar-dhe-i-lidhur-fort-me-traditat-e-tij-kombetare-prandaj-kongresi-i-londres/?fbclid=IwAR2FVzak-j7rK5aZmEi7PfjSXKwa0TYdtt8qXPSCKB_4SxKU9X3I-8gnkEI

Të ngjajshme