Eshtrat e një aristokrati romak zbulohen në Angli

14 Mars, 2023 - 11:08 am

Eshtrat e një aristokrati romak janë zbuluar nga arkeologët në Anglinë veriore.

Skeleti i një gruaje të paidentifikuar, që besohet të jetë më shumë se 1000 vjeç, u gjet në një arkivol të plumbit në një varrezë në qytetin e Leeds vitin e kaluar.

Eshtrat e 62 personave u gërmuan në vendin arkeologjik të panjohur më parë pranë Garforth. Burra, gra dhe 23 fëmijë u groposën në vendin e zbuluar nga një ekip arkeologësh, shkruan BBc, transmeton Klankosova.tv.

Të vdekurit mendohet se përfshijnë njerëz nga epoka e vonë romake dhe e hershme saksone, pasi zakonet e varrimit të të dy epokave u gjetën në varre, sipas një njoftimi për shtyp të botuar nga Këshilli i Qytetit të Leeds këtë të hëne.

David Hunter, arkeologu kryesor me Shërbimet e Përbashkëta të West Yorkshire, i tha CNN të hënën se zbulimi doli pasi një sipërmarrës i ndërtimeve urbane paraqiti një kërkesë për leje ndërtimi në këshill.

“Sigurisht që morëm më shumë nga sa paguam”, tha Hunter për CNN.

Ai tha se ekipi i tij kishte arsye të besonte se vendi mund të ishte me interes arkeologjik, pasi ata kishin gjetur përbërje romake dhe anglo-saksone aty pranë në gërmimet e mëparshme.

Dëshmitë e praktikave të varrimit të gjetura në vend mund të tregojnë besimet e hershme të krishtera, së bashku me varrimin sakson, tha ekipi. Ata gjetën gjithashtu sende personale si thika dhe qeramikë.

Duke e përshkruar arkivolin e plumbit si “shumë të rrallë”, Hunter tha: “Fleta e plumbit është rreshtimi i një arkivoli më të madh prej druri, kështu që është një trup romak me status shumë të lartë”.

Arkivoli gjithashtu përmbante copa bizhuteri të cilat përforcuan dyshimet e ekipit për personin e varrosur brenda.

Arkeologët besojnë se varrezat 1600-vjeçare mund t’i ndihmojnë ata të kuptojnë tranzicionin e rëndësishëm dhe kryesisht të padokumentuar midis rënies së Perandorisë Romake rreth vitit 400 dhe krijimit të mbretërive të mëvonshme anglo-saksone. / KultPlus.com

Të ngjajshme