18 Shtator, 2020 - 1:00 pm
Ky më poshtë është një ilustrim i hershëm i nënës së Ali Pashë Tepelenës. E ëma, Esmihan Hanëmi (Hanko), ishte bija e Zenel Beut të Konicës, feudalit më të fuqishëm shqiptar të asaj zone. Nëpërmjet beut të Konicës, me vajzën e të cilit qe martuar, Veli Beu, i ati i Ali Pashë Tepelenës u lidh fort me familjet më të rëndësishme të vendit.
Në librin e vet për Ali Pashën, Aravatinos thotë se dera e Konicave ishte pasardhëse e Kastriotëve. Por ky fakt nuk i qëndron vërtetësisë historike. Vetë Faik Konica, një nga pasardhësit e shkëlqyer të kësaj dere, e mohon këtë fakt kur thotë: Një stërgjyshi im, i quajtur Mehmet Pasha rronte në kohë të dëgjuar dhe nuk është çudi që pas pakë brezash, populli ta ketë përzier me Skenderbenë.
Analet historike dëshmojnë se dera e Konicajve njihej ndryshe edhe si dera e Zenelbejllinjve, në emër të Zenel Beut, nipit të Mehmet Pashës, i përmendur për pasurinë dhe jetën e shkëlqyer që bënte.
Zenel Beu, nga martesa me motrën e Kurt Pashë Beratit, pati një bijë dhe një bir. E bija u martua me Veli Bej Tepelenën dhe lindi Alinë.
Ky detaj i lidhjes familjare të Ali Pashë Tepelenës me Kurt Pashën e Beratit është shumë i rëndësishëm, pasi tregon sërish statusin e rangut të familjes së Ali Pashë Tepelenës, si një prej familjeve aristokratike toske.
Kjo do të thotë që kjo familje nuk u gjend rastësisht në qendër të ngjarjeve, të cilat përcaktuan fatin vetëqeverisës të Epirit për më shumë se 35 vjet, siç tentojnë shpeshherë ta përshkruajnë burime të ndryshme të letërsisë së udhëtimeve, të cilat në të shumtën e rasteve janë kujdesur të përcjellin historitë lokale të Epirit, me një këndvështrim më shumë orientalist, sesa i përgjigjen realitetit.
Ali Pasha Tepelena ishte shumë i lidhur me të ëmën pasi babai e la në moshën 12-13 vjeçare.
“Unë i detyrohem shumë asaj, – i pati thënë ai njëherë konsullit francez, Pukëvilit, sepse pas vdekjes së babait ne nuk trashëguam asgjë më tepër, veç pak streme tokë dhe disa kafshë. Edhe sot më djeg malli të dëgjoj këshillat e saj.
Ajo dy herë sakrifikoi për fatin e jetës sime; së pari që më bëri burrë dhe së dyti që më bëri vezir. Imagjinata e saj zbulonte përpara meje sekretet që do t’i kishte e ardhmja ime. Aso kohe Tepelena nuk përfaqësonte asgjë për mua, veçse, thjesht vendin ku pata lindur, prej nga unë duhet të lëshohesha në sulme mbi gjahun, që tanimë ishte konturuar në idetë e mia.
Nuk ëndërroja dhe as mendoja për gjë tjetër, veçse për barot, pasuri, pallate, me një fjalë për ato që me kalimin e kohës i realizova dhe ato që synoj të realizoj, sepse në pikën ku kam arritur, dalloj se nuk është maja e llogarive të mia”.
Autorë të ndryshëm janë munduar, kinse të depërtojnë në natyrën e veprimeve të Ali Pashë Tepelenës ta emërtojnë karrierën e tij një histori tipike orientale. Aliu paraqitet si imoral dhe i ulët, absolutisht i pamëshirshëm dhe hakmarrës.
Historia e ngjitjes së tij të shpejtë në pushtet, nga një pinjoll i një familjeje të mugët pseudofisnike të një fshati shqiptar, në sundimtar të një pashallëku të gjerë dhe fort të pasur, rrëfehet si një seri e pafund mizorish, mashtrimesh dhe veprash kriminale.
Në të gjitha historitë anekdotike, që tregohen për Aliun, një rol të rëndësishëm luan ambicia e Hankos, egërsia dhe dëshira e saj e madhe për t’u hakmarrë, çka shkakton drama të mëdha njerëzore, si ato të Hormovës dhe të Kardhiqit.
Fëmijëria e vështirë e Ali Pashës, i mbetur jetim rreth moshës 12-13 vjeç, dëshira dhe mënyrat e tij për t’u përkujdesur për familjen, të ëmën dhe të motrën, në një mjedis të vështirë feudal, ku lulëzonte anarkia dhe dhuna, nuk shikohen si përpjekeje pozitive, por si një konglomerat ndjesish negative të tradhtive, intrigave dhe imoralitetit.
Tradhtitë e Aliut janë parë nga të gjithë autorët, jo si rrjedhojë psikologjike e një fëmijërie të vështirë dhe të ashpër, por si një imperativ biologjik, si një rezultat i paevitueshëm i edukimit të tij në ato rrethana jetësore.
Sipas këtij interpretimi, thelbi i vërtetë i orientalit karekterizohet nga një shthurje e trashëgueshme, sikur të ishte ndonjë karekteristikë fizike, etnike a racore.
Përgjithësisht, këtë lloj mizorie dhe tradhtie, të gjithë autorët ia veshin trashëgimisë së tij nga e ëma. Pothuajse në të gjitha veprat për Ali Pashën, asaj i kushtohen pasazhe të veçanta. Madje, edhe autorë si Hobhaus që flasin me admirim për Ali Pashën ose që nuk paragjykojnë sundimin e tij të ashpër, kur vjen rasti për të folur për të ëmën, e portretizojnë atë si simbol të një egërsie të pashoqe.
E ëma, Hankoja u bë strumbullari i i gjithë të ardhmes së tij edhe duket se bashkë me qumështin, ka thithur dhe prirjen drejt mizorisë dhe egërsisë.
Ky paragjykim dhe ky stereotip rreth Hankos nuk u shua as edhe një shekull më vonë.
Siç vëren me të drejtë studiuesja Katherin Flemming në veprën e vet “Bonaparti mysliman”, shkrimtarë, si William Plomer në veprën e vet “Diamandi i Epirit”, shkruan se ajo (Hankoja) kishte një ndikim shumë të fortë mbi ta (Aliun dhe Shanishanë) dhe bashkë me qumështin u mëkoi edhe ambicjen, babëzinë dhe urrejtjen.
Mirëpo, pavarësisht këtyre stereotipave që mbizotërojnë në monografitë dhe studimet për Ali Pashën, figura e Hankos duket se u është nështruar stereotiopave orientalistë në përshkrimin e saj, sepse ajo as më shumë as më pak ka qenë një nënë shqiptare që dëshironte më të mirën për birin e vet pas asnjë nga vetitë supernatyrale që i vishen./Autori, Dorian Koçi, është drejtor i Muzeut Historik Kombëtar. Botuar në DITA nga faqja e tij në Facebook. / KultPlus.com