10 Dhjetor, 2022 - 3:59 pm
Promovimi dhe përçimi i folklorit, këngëve, valleve dhe dokeve popullore tek brezat e rinj ka bërë bashkë në një aktivitet Pogradecin, Kolonjën dhe Devollin.
Grupet folklorike të të rinjve nga këto zona kanë shpalosur traditat më të mira në Etno Fest i cili u mbështet nga Ministria e Kulturës.
Entela Gusho Zv/kryetare e Bashkisë Pogradec tha se ky është një aktivitet që jo vetëm shkëmben kulturën rajonalisht, por shtyn edhe më tepër të rinjtë drejt folklorit.
Që nga Llazoret, Dasma, Devolliçja e famshme dhe vallet aq elegante të Kolonjës u shpalosën mjeshtërisht nga grupet e të rinjve, mjaft interesante është interesi i lartë i tyre për të trashëguar këto tradita dhe zakone.
Etno Fest erdhi edhe si një kthim i vëmendjes nga e kaluara nëpërmjet një ekspozite etno-kulturore që udhëtonte shumë vite pas në kohë tha Ledjan Zeqollari, kurator i ekspozitës.
Etno Fest krahas promovimit të etno-kulturës tek brezat e rinj, ka si qëllim edhe vlerësimin e qindra valltarëve dhe muzikantëve popullorë të juglindjes. /atsh /KultPlus.com