11 Shkurt, 2025 - 6:29 pm
Në Ditën Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë, programi EU4Culture përzgjodhi të publikojë përvojën e Hermelinda Troqes, inxhinieres kimiste me mbi 20 vite përvojë në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit.
EU4Culture solli shembullin e saj, për të kremtuar këtë ditë kushtuar kontributeve të grave në Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë. Kjo ditë shërben si një kujtesë për punën e jashtëzakonshme që gratë dhe vajzat shkencëtare bëjnë çdo ditë dhe inkurajon brezat e ardhshëm të ndjekin ëndrrat e tyre në këto fusha.
Historia e Hermelindës nuk është vetëm një histori restaurimi filmash, por tregon për përkushtimin, pasionin dhe rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore.
“Ne nuk po konservojmë thjesht filma të vjetër. Po mbajmë gjallë histori,” reflekton ajo.
Programi EU4Culture, i financuar nga BE dhe i zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, mbështeti Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit në blerjen e pajisjeve të avancuara, përfshirë një tavolinë digjitale D-Observer, një pajisje moderne për pastrimin e filmave dhe një projektor filmi.
Këto mjete kanë përmirësuar ndjeshëm efikasitetin dhe mundësojnë ruajtjen më të shpejtë dhe me cilësi të lartë të filmave, duke garantuar aksesin e tyre afatgjatë. /atsh/ KultPlus.com