3 Shkurt, 2025 - 10:50 pm
Mbledhja e shtatë e Komitetit Drejtues të programit EU4Culture mblodhi së bashku përfaqësues të lartë nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe UNOPS-it.
Në këtë takim u diskutuan çështje kyçe dhe u dakordësuan hapat e ardhshëm, teksa programi EU4Culture hyn në fazën e tij përfundimtare.
Takimi u hap me fjalë përshëndetëse nga Silvio Gonzato, ambasador i BE-së në Shqipëri; Lira Pipa, zëvendësministre e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Sabine Kania, drejtuese e Zyrës së UNOPS për Shqipërinë dhe Kosovën.
Komiteti vlerësoi arritjet kryesore të programit, duke përfshirë progresin e restaurimeve, krijimin e produkteve multimediale dhe zbatimin e komponentit të granteve.
Ndërsa diskutimet vazhduan duke u fokusuar në aktivitetet e mbetura të programit EU4Culture, siç janë restaurimi dhe rigjallërimi i siteve të trashëgimisë kulturore, duke përfshirë Muzeun Historik Kombëtar, Muzeun Arkeologjik të Durrësit, Kalanë e Bashtovës dhe Muzeun Etnografik të Durrësit.
Gjithashtu, anëtarët e Komitetit Drejtues ranë dakord mbi rëndësinë e ruajtjes e rritjes së vlerës së siteve përtej kohëzgjatjes së programit si dhe mbi hapat e mëtejshëm për të siguruar progres të qëndrueshëm në muajt në vazhdim. /atsh/ KultPlus.com