EU4Culture, pajisje për restaurimin e librave qendrës ‘Sotir Kolea’ në Bibliotekën Kombëtare

2 Qershor, 2023 - 4:59 pm

Programi EU4Culture, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS Shqipëri në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës zhvilloi sot ceremoninë e dorëzimit të pajisjeve për restaurimin e librave dhe nisjen e projekteve të granteve.

Ceremonia u zhvillua në Qendrën “Sotir Kolea” pjesë e Bibliotekës Kombëtare ku të pranishëm ishin ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ambasadorja e BE-së në Shqipëri Christiane Hohmann, koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri Fiona McCluney, drejtuesja e UNOPS Shqipëri Pamela Lama, drejtori i përgjithshëm i Bibliotekës Kombëtare Pirro Misha si dhe anëtarët e Bordit Shkencor të Bibliotekës Kombëtare Etleva Domi, Artan Shkreli, Pëllumb Xhufi, Diana Çuli, Persida Asllani, Floresha Dado, Thomas Frashëri dhe personalite të tjerë.

Pas fjalës së mirëseardhjes nga Pirro Misha, drejtor i përgjithshëm i Bibliotekës Kombëtare, u zhvillua një tur i shkurtër për prezantimin e pajisjeve.

Po ashtu, u zhvillua një prezantim i shkurtër i projekteve të granteve nga organizatat përfituese moderuar nga Estevan Ikonomi, menaxheri i Granteve, UNOPS Shqipëri dhe më pas u shpërndanë certifikatat për projektet e granteve.

Në kuadër të programit EU4Culture, UNOPS Shqipëri bleu dhe dorëzoi pajisje moderne të restaurimit të librave me vlerë 667,174.00 USD (afërsisht 621,672.73 euro) për Njësinë e Restaurimit (Qendra “Sotir Kolea”) të Bibliotekës Kombëtare.

Këto pajisje moderne do të përmirësojnë mundësinë e bibliotekës për të ruajtur librat dhe për t’i bërë disa prej tyre të disponueshëm online, duke respektuar materialin, mjedisin, shëndetin e operatorëve dhe përdoruesve të mundshëm. Këto pajisje gjenden vetëm në disa biblioteka në Evropë./KultPlus.com

Të ngjajshme